E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja në Sauk, ekspertiza: Përplasi kokën në trotuar

Vdekja e 30-vjeçarit Vilson Përleka mbetet ende e pasqaruar nga hetimi, ndërsa ekspertiza mjeko-ligjore ka përjashtuar përdorimin e thikës. I akuzuari për konfliktin, sot para gjykatës

Tiranë Prokuroria e Tiranës i ka kërkuar dje gjykatës të caktojë masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Erald Sinës, i dyshuar për vrasjen e 30-vjeçarit Vilson Përleka, pas një sherri për gërvishtjen e makinës. Masa e kërkuar nga akuza pritet të shqyrtohet sot nga gjykata, edhe pse prokuroria nuk ka sqaruar ende rrethanat e krimit. Sipas të dhënave të rezervuara mësohet se Instituti i Mjekësisë Ligjore nuk ka dalë ende në një konkluzion zyrtar mbi vdekjen e 30-vjeçarit, i cili në momentet e ngjarjes ka qenë i shoqëruar edhe nga babai i tij. Paraprakisht thuhet se vdekja e Përlekës është shkaktuar nga përplasja e fortë që ka pësuar në trotuar 30-vjeçari, si pasojë e grushteve nga ana e autorit të dyshuar të këtij krimi. Dëshmitarët e pranishëm në ngjarje kanë treguar për policinë se autori dhe viktima ishin sharë në distancë, pasi Vilson Përleka ishte duke kaluar me kamionin e drejtuar prej tij në rrugën ku ndodhej automjeti i Sinës. Pas debateve dhe sharjeve në distancë për pluhurin e shkaktuar në rrugë dhe më pas gërvishtjen e makinës, 30-vjeçari Përleka ka zbritur nga kamioni, ndërsa babai i tij ka qëndruar aty. Debati ka degjeneruar në përleshje dhe konflikt fizik mes të rinjve, ndërsa në sherr janë përfshirë edhe dy të afërm të Erald Sinës. Në këtë moment, viktima është goditur disa herë me grushte dhe si pasojë ka përplasur kokën në trotuar, çka mendohet se i ka shkaktuar edhe vdekjen. Nga këqyrja e kufomës rezulton se viktima ka një shenjë në fytyrë dhe një në qafë. Por të dyja janë plagë të lehta dhe janë shkaktuar nga goditjet me grushte. Plaga vdekjeprurëse mendohet të ketë qenë ajo në pjesën e pasme të kokës, që dyshohet se është shkaktuar nga përplasja me bordurën anësore të rrugës. Sipas policisë, mësohet se në trupin e 30-vjeçarit nuk është konstatuar asnjë shenjë e shkaktuar me mjete prerëse si thikë apo sëpatë, çka hedh poshtë dyshimin fillestar se viktima është qëlluar me mjetë të forta. Policia ka marrë në pyetje një prej të afërmve të autorit të dyshuar, babain e viktimës, të arrestuarin Sina dhe persona të tjerë që janë gjendur rastësisht në momentet e ngjarjes. Dëshmitarët kanë treguar se në sherr kanë marrë pjesë tre persona, por dy prej tyre kanë tentuar të ndajnë autorin me viktimën, të cilët në ato momente kanë filluar të shkëmbejnë grushte mes tyre. Për këtë arsye policia ka vendosur të lirojë njërin prej tyre, i cili u shoqërua menjëherë pas ngjarjes, ndërsa në qeli ndodhet vetëm Erald Sina, i cili do të paraqitet sot në Gjykatën e Tiranës për t’u njohur me masën e sigurisë. L.Bakillari

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›