E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prej sivjet edhe në Dibër mund të studiohet

Shkup, 22 gusht - Viti i ri akademik 2010-2011 për herë të parë do të nisë sivjet edhe në Dibër, si rezultat i shpërndarjes së fakulteteve të Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT). Në këtë qytet këtë vit do të hapen degët e gjuhëve të huaja dhe fakulteti për fizio-terapi. Për realizimin e këtij vendimi të qeverisë, Komuna e Dibrës ka ndarë rreth 250 mijë euro nga buxheti i saj dhe intensivisht po punohet për adaptimin e objektit të ish kazermës “Liman Kaba”.
“Komuna ka marrë përsipër adaptimin objekteve, ndërsa nga USHT-ja presim që të sjellin inventarin e nevojshëm për fakultetet e tyre. Realisht, kjo do të jetë perspektivë dhe hapje e dyerve për qytetin e Dibrës, pasi që këtu dibranët do të kenë mundësi edhe më lirë të studiojnë, po ashtu me mbarimin fakultetit edhe perspektiva e tyre për punësim do të jetë më e madhe, pasi në Dibër është paraparë studimi i gjuhës angleze, frënge dhe asaj italiane, si dhe fakulteti i fizio-terapisë, që paraqet perspektivë të madhe pasi në Dibër ekzistojnë edhe banjat e Dibrës, kështu që edhe punësimi i tyre do të jetë më i lehtë”, deklaroi Ylli Mirzo, shef i kabinetit të kryetarit të Dibrës.
Banorët e Dibrës përshëndesin vendimin për shpërndarjen e fakulteteve, duke shpresuar se një hap i këtillë jo vetëm që do ta gjallërojë Dibrën, por edhe do të hapë perspektiva për të rinjtë.
Ministri i arsimit Nikolla Todorov thotë se në Dibër punët po shkojnë mirë dhe se do të ketë një fillim të mbarë të vitit të ri akademik, transmeton Alsat-M.
Në degët e USHT-së në Dibër ka 360 vende të lira dhe, krahas studentëve dibranë pritet të regjistrohen edhe studentë nga Shqipëria.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›