Epopeja e UÇK, përkujtohen heronjtë
Nisi në Kosovë manifestimi tradicional Epopeja e UÇK-së. Manifestimi në kujtim të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të kombit dhe të rënëve për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës nisi në kazermën e FSK-së, Adem Jashari në Prishtinë.
Drejtues institucionesh e qytetarë të shumtë kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Familjes Jashari dhe te varri i komandantit legjendar Adem Jashari si dhe të Familjes Jashari, në Prekaz me rastin e 14 vjetorit të rënies heroike të familjes Jashari.
Kryekuvendari Krasniqi, duke e vlerësuar lart sakrificën e familjes Jashari, ka thënë se për çështjet madhore tash më shumë se kurrë duhet uniteti, që sipas tij spektri politik në këtë kohë nuk është unik. Një gjë të tillë e ka kërkuar edhe vetë Adem Jashari. Ai ka dashur që të ketë unitet mes populli shqiptar, ka thënë Krasniqi.
Ndërkaq drejtuesit e AAK-së, pasi kanë bërë homazhe, kanë thënë se të gjithë duhet të përkulen para veprës së Familjes Jashari, nga se, sipas tyre, aty ka nisur e gjithë liria jonë.
Ceremonite
Me këtë rast do të organizohet një ceremoni ushtarake, e cila do të përcillet me parakalim të trupave të FSK-së dhe me një program kulturor artistik.
Ndërkaq, më 6 mars, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, do të bëhen homazhe te varri i komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari në kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz, por edhe në të gjitha komplekset memoriale dhe varrezat e dëshmorëve, në të gjitha komunat e Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, në të njëjtën ditë në orën 18:00 në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë do të mbahet akademi përkujtimore kushtuar komandantit legjendar Adem Jashari.
Epopeja e UÇK-së përmbyllet më 7 mars, me ndezjen e zjarreve, në orën 18:00 në kompleksin memorial Adem Jashari në Prekaz dhe në të gjitha fushëbetejat të UÇK-së, në gjithë territorin e Kosovës në të njëjtën kohë do të ndizen akadanët e zjarrtë.
Pas këtyre, në sheshin Adem Jashari në Skenderaj do të mbahet një program i pasur kulturor dhe artistik.