E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pedroza fiton te fundit

Kampion i botës në Moto GP është Horge Lorenco, por garën e fundit të sezonit e fitoi një tjetër spanjoll. Ky ishte Dani Pedroza që triumfoi në Valencia, pra në Çmimin e Madh në Spanjë, ndërsa kampioni i ri u rrëzua në garë e sipër.
Kjo ishte fitorja e shtatë e Pedrozës, i cili u rendit i dyti në këtë kampionat botëror, ndërsa në pistën e Valencias la prapa britanikun Kal Kraçlou dhe ish-kampionin e botës, australianin Kejsi Stoner.
Lorenco i Jamahës u nis më mirë se të gjithë duke kapur vendin e parë, falë edhe gomave të përshtatshme për një klimë të lagur, ndërsa pilotët e tjerë humbën kohë për ndërrimin e gomave.
Gjithsesi, ndërsa po sfidohej nga Pedroza, Lorenco u rrëzua në mënyrë spektakolare duke i lënë rrugë të lirë pilotit të Hondës për të fituar.
Pedroza arriti më shumë fitore sesa Lorenco në këtë botëror, 7 ndaj 6, por ishte rregullsia më e madhe e pilotit të Jamahës që i dha titullin.
Italiani i famshëm Valentino Rosi u paraqit keq në këtë garë duke zënë vendin e 10-të dhe duke u lënë prapa edhe nga 3 motorë modestë CRT.
Sa për ish-kampionin që u shkurorëzua, Kejsi Stonerin, është keqardhje që ky mjeshtër po del në pension në moshën 27-vjeçare pasi fitoi titujt në vitet 2007 e 2011.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›