E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lacio fiton derbin

Lacio fitoi derbin e Romës me rezultatin 3-2 duke kulmuar një javë të 12-të emocionuese në Serinë A. Bardhekaltërit u goditën herët nga Roma, kur Lamela shënoi në 11’, por Kandreva dhe Klose përmbysën shifrat përpara sesa De Rosi të linte romanët me 10 vetë në minutën e fundit të pjesës së parë pasi doli me karton të kuq.
Me të nisur e dyta, Mauri shënoi golin e tretë për skuadrën e trajnerit Petkoviç, ndërsa Roma e Zemanit nuk arriti të barazonte edhe pse Miralem Pjaniç shënoi në minutën e 86-të. Një minutë më pas, Mauri kishte dalë me të kuqe për Lacion.
Lorik Cana luajti 7 minuta të kohës së rregullt dhe 3 minuta shtesë, pra gjithsej 10 minuta në këtë derbi.
Napoli përmbysi sërish një humbje duke fituar po prapë 4-2, këtë herë në Gjenovë. Skuadra e Macarrit u mbështet tek një Marek  Hamshik i mrekullueshëm, por edhe tek Kavani që sërish shënoi. Xhenoa kryesoi 1-0 dhe 2-1, por në fund doli e mundur.
Në “San Siro”, Milani u mund keqazi nga Fiorentina 1-3 dhe tani trajneri Masimiliano Alegri është vërtet i rrezikuar për t’u shkarkuar. Akuilani dhe Borha Valero shënuan dy herë për miqtë në pjesën e parë, ndërsa Pacini dha shpresë për kuqezinjtë në të dytën duke shkurtuar shifrat sapo kishte kaluar një orë lojë. Por, El Hamdaui realizoi golin e tretë dhe të sigurisë për Fiorentinën e Montelës që mori 3 pikë tepër të rëndësishme.
Në ndeshjet e tjera, Palermo mundi 2-0 Sampdorian, Udineze barazoi 2-2 në fushën e Kievos, Torino mundi 1-0 Bolonjën dhe Parma e Siena barazuan 0-0.
Renditja: Juventus 31 pikë, Inter 27 (-1), Napoli 26, Fiorentina 24, Lacio 22, Roma 17, Katania 16, Parma 16, Udineze 15, Atalanta 15 (-1), Kaljari 15, Torino 14, Milan 14 etj.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›