Championsi i Azise

Liga e Kampionëve në Europë është ende në hapat e parë të jetës për këtë edicion, por në Azi Champions League ka përfunduar punë dhe ka nxjerrë fituesin. Ky është ekipi nga Korea e Jugut, Ulsan Hjundai që mundi thellë në finale 3-0 Al Ahlin e Arabisë Saudite.
Përballja u luajt pikërisht në qytetin e Ulsanit në Korenë e Jugut, pasi u vendos që të përcaktohej me short dhe vendasit e shfrytëzuan mirë epërsinë e fushës dhe praninë e mbi 42 000 tifozëve në stadiumin e tyre.
Kapiteni Kuak-Tae-Hui shënoi golin e parë që në minutën e 13-të, ndërsa sulmuesi brazilian Rafinja thelloi epërsinë në 2-0 në minutën e 68-të. Kur kishin mbetur edhe 15 minuta lojë, mesfushori Kim Seung-Jong shënoi edhe golin e trëtë për Ulsanin që e dominoi ndeshjen tërësisht.
Kjo ishte finalja e parë dhe trofeu i parë për skuadrën e financuar nga kompania e madhe Hjundai dhe po ashtu finalja e parë për Al Ahlin.
Ulsan do të marrë pjesë kështu në Kupën e Botës së klubeve të organizuar nga FIFA dhe që do të zhvillohet në fund të këtij viti në Japoni.
Fitorja e skuadrës së Hjundait do të thotë se Korea e Jugut ka fituar 3 nga 4 trofetë e viteve të fundit, ndërsa gjithsej ky vend ka fituar 10 Kupa të Kampionëve të Azisë.
Financiarisht, Championsi aziatik është shumë më modest sesa ai europian dhe skuadra fituese mori si shpërblim vetëm 1.5 milionë dollarë amerikanë, ndërsa fituesi në Europë fiton gjithsej 30 apo 40 milionë euro.