E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia ndal Superligen

Nuk mund të ndodhte ndryshe pasi vdekja dhe nderimi për të humburin peshojnë më shumë sesa 3 apo më shumë ndeshje futbolli. Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka vendosur të shtyjë nga dita e sotme për të mërkurën 3 ndeshjet e mbetura të javës së 10-të të Kategorisë Superiore, menjëherë pasi gjyqtari Rigers Pjetrushi humbi jetën në një aksident të tmerrshëm rrugor në Gjirokastër.
Ndeshjet e shtyra janë Laçi-Tomori e Kukësi-Besa që do të luheshin në orën 14:00 dhe kryesfida e kësaj jave, ajo mes Skënderbeut dhe Flamurtarit që ishte parashikuar në orën 17:00.
I ndjeri Pjetrushi ndërroi jetë si pasojë e përplasjes fatale mes dy mjeteve në aksin rrugor Gjirokastër-Dervician, aksident i ndodhur në orën 03.30 të mëngjesit të së dielës.
Pak orë para përplasjes, Pjetrushi 32-vjeçar kishte qenë pjesë e trupës së gjykimit të ndeshjes së Superligës mes Luftëtarit dhe Kastriotit të Krujës, luajtur në stadiumin e Gjirokastrës.
Nga java e 10-të u luajtën të shtunën 4 ndeshje në të cilat në orën 14:00, Luftëtari mundi 2-0 Kastriotin, Apolonia u mund në Fier nga Teuta e Bylis fitoi 2-0 në Ballsh ndaj Shkumbinit, ndërsa në orën 17:00 Tirana fitoi 1-0 në Shkodër ndaj Vllaznisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›