Rinia, uragan i integrimit të Shqipërisë, tani në BE
Kryeministri Berisha takon të rinjtë e qytetit të Korçës
“Sot, për ju dhe për ne është festë. Sot, për çdo shqiptar është moment solemn sepse pasioni juaj i lirisë do të jetë uragani i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Jam këtu për t’u zotuar se ne së bashku, në kohën më të parë të mandatit tonë të dytë do të realizojmë liberalizimin e vizave. Ju do të shëtisni në mbarë Evropën si qytetare të lirë të saj”.
TIRANE - Një takim i jashtëzakonshëm me të rinjtë korçarë ka mbyllur axhendën zyrtare në këtë qytet të kryeministrit Sali Berisha.
Kreu i qeverisë, e cilësoi rininë shqiptare uragan që do të mundësojë integrimin, arsye kjo për t’i patur të rinjtë në krye të axhendës qeveritare edhe në një mandat të dytë.
Kryeministri ka nënvizuar rëndësinë e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, një arritje për të cilën siç tha ai kontribut të pazëvendësueshëm ka rinia. Për këtë, kryetari i qeverisë shqiptare u kthye në memorien, vite më parë atëherë kur rinia shqiptare do të shembte murin e komunizmit nisur nga etja e madhe për liri.
Berisha vuri në dukje se pasioni i të rinjve për liri, do të jetë uragani i integrimit të Shqipërisë në BE. Ndërkohë që, theksoi kryeministri, në kohën më të parë të mandatit të dytë të qeverisë aktuale, do të liberalizojmë vizat.
Kryetari i qeverisë ofroi përpara të rinjve projekte të qarta që mundësojnë shkollimin dhe punësimin e tyre.
“Në katër vite të qeverisjes së demokratëve është dyfishuar buxheti për arsimin, më shumë se gjysma e shkollave në të gjithë vendin janë të reja ose të rindërtuara, premtimi i kryetarit të qeverisë flet për asnjë shkollë të vjetër në mandatin e dytë. Në katër vite është dyfishuar rroga e mësuesve, të cilët kryetari i qeverisë i cilësoi si piedestal të shkollimit, si premtim për mandatin e dytë është kompjuter dhe internet për çdo të ri në Shtëpinë e tij, një premtim i përmbushur për sa i takon shkollave. Në 2005 numëroheshin 52 mijë studentë, pas katër vitesh 115 mijë, premtimi i kryeministrit Berisha është që kjo shifër të rritet 2013 në 160 mijë të rinj, që ndjekin shkollimin e lartë”, u shpreh Berisha.
Zotimet përpara të rinjve kryeministri, i bëri duke theksuar se ata janë përparësia absolute e qeverisë që drejton.
Pak përpara përfundimit të takimit, kryeministri prezantoi Gerti Bogdanin si liderin e ri të të rinjve demokratë, një student i shkëlqyer i shkolluar në SHBA sikundër theksoi kryeministri.
“Dhe tani dua t’ju paraqes ju, liderin e të rinjve demokratë shqiptarë, Gerti Bogdanin. Gerti Bogdani është njëri prej jush, njeri i ndershëm dhe i përkushtuar. Kudo që shkoi, ai na përfaqësoi me dinjitet. Gerti studioi në njërin nga universitetet më të njohura të Shteteve të Bashkuara dhe doli i pari në një mijë studentë. Ai u kthye nga dashuria e madhe për ju dhe për Shqipërinë, për të ecur së bashku drejt Shqipërisë në Bashkimit Evropian, drejt Shqipërisë së zhvilluar”, vlerësoi Berisha.