E Diel, 1 Nëntor 2026

Premtimi i Ramës: Transport falas për çdo nxënës nga veriu në jug

Nga L.Progni

Mjete transporti falas për të gjithë fëmijët nxënës shkollash nga veriu në jug ishte premtimi i bërë dje nga kryetari i PS, Edi Rama, në takim me vullnetarët e PS në qytetin e Vlorës. Me takimin e djeshëm në Vlorë, kryetari i PS hapi turin e takimeve të rrjetit të vullnetareve të PS në Vlorë. “Ne do t'i japim çdo fëmije mundësinë e barabartë për shkollim, pavarësisht nëse ka lindur në Tiranë apo në fshatrat e Hasit ose Mallakastrës. Asnjë fëmijë i varfër nuk do të mbetet pa libra, asnjë prind që nuk blen dot librat e fëmijës për shkak të varfërisë nuk do ta mbetet pa ndihmë dhe asnjë zonë rurale nuk do të mbetet pa mësues. Pas 142 ditësh do të fillojë fundi i njëshkolonave migjeniane të kalamajve që në shi e dëborë ecin me orë të tëra për të mbërritur shkollën. Kudo që do të ketë fëmijë për të shkuar në shkollë më shumë se 20 minuta në këmbë, do të jemi ne që do t'i transportojmë falas, sepse nuk mund të ketë një Shqipëri fëmijësh me abetare e një Shqipëri fëmijësh pa abetare, sepse atdheu ynë s'mund të jetë prind për disa fëmijë e njerkë për disa fëmijë të tjerë, sepse qeveria e bashkimit të ri të qytetarëve do të jetë qeveria e parë e këtij vendi që do t'i shohë fëmijët e qytetit e të fshatit si fëmijë të barabartë të Republikës së Shqipërisë”, - tha dje Rama. Ai ka premtuar para vullnetarëve të PS se fitorja e PS në zgjedhjet e qershorit, nuk do të jetë thjesht ndërrim ministrash, por do të jetë nisja e një epoke të re të politikës së re të PS. “Zgjedhjet e qershorit janë tuajat, janë zgjedhjet e çdo shqiptari e shqiptareje që nuk pajtohet dot me gënjeshtrën qeverisëse, me pushtetin e disave në kurriz të të gjithëve, me degradimin e qeverisë së popullit në një oborr familjarësh e klientësh të pushtetit të një njeriu të vetëm. Mua dhe juve nuk na duhet një fitore për të ndërruar qeverinë e disave me qeverinë e disa të tjerëve, por për të ndërruar epokën e politikës së vjetër të politikanëve me epokën e politikës së re të qytetarëve”, - tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›