Premtimi i Ronaldos

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo lavdëron Jose Mourinhon dhe thotë se ai është trajneri më i mirë në botë. Por, në rast të largimit të Mourinhos nga klubi, sulmuesi insiston se do të qëndrojë në Santiago Bernabeu, duke mohuar se e ardhmja e tij është e lidhur me atë të ‘Special One’.
“Mourinho është numër 1 në absolut, të gjithë trajnerët e mëdhenj duhet të fitojnë në kampionate të ndryshme, dhe ai e ka bërë këtë. Ka të tjerë që konsiderohen më të mirët, por nuk kanë fituar sa Jose”, deklaroi Ronaldo gjatë një interviste të transmetuar në televizionin portugez TVI.
Ronaldo lavdëron Mourinhon në atë që mund të konsiderohet si një sulm indirekt ndaj strategut të Barcelonës, Pep Guardiola i cili nga shumëkush konsiderohet si trajneri më i mirë në botë, por jo sipas yllit të gjigantit madrilen, i cili preferon të pret dhe të shohë nëse katalani mund të triumfojë edhe në kampionate të tjera.
Ronaldo ka insistuar se ka raport “shumë të mirë me Mourinhon, për mua ai është më i miri, kështu kam menduar edhe para se ta kem për trajner e kisha një ndjenjë se mund të kalojmë mirë së bashku, sepse kemi të njëjtat principe”, shtoi ai. Megjithatë, Mourinho mund të largohet nga Reali në fund të këtij sezoni.
Por, edhe nëse ndodh kjo, Ronaldo ka premtuar se do të vazhdojë të luajë në Santiago Bernabeu. “Unë dua të vazhdoj të luaj këtu në Madrid dhe nuk më pëlqen të kaloj diku tjetër. Nuk e ndërroj skuadrën për miqësi. Bilanci im në këto tri vitet e deritashme në Real është pozitiv, e konsideroj si klub ideal për mua dhe nuk mendoj të largohem. Dua ta mbyll këtë sezon në nivel të lartë, e më pas të mbetem këtu, sepse kam edhe tri vite të tjera në kontratë”, vazhdoi Ronaldo.
27-vjeçari është shprehur falënderues për ish-trajnerin e tij nga Manchester Unitedi, Sir Alex Ferguson. “Ai më ka dhënë një mundësi të madhe, edukimin në futboll dhe përgatitjen e nevojshme për t’u përballur me presionin, pavarësisht moshës 18 vjeç. I jam mirënjohës vërtet shumë”, përfundoi Ronaldo.
Mourinho mohon kalimin në City
Jose Mourinho ka mohuar fuqishëm arritjen e një marrëveshjeje për të marrë drejtimin e Manchester Cityt në fund të këtij sezoni. Sipas medieve spanjolle, trajneri i Real Madridit ka pranuar të zëvendësojë Roberto Mancinin në Eastlands gjatë verës.
Por, portugezi, i cili ka kontratë në Bernabeu deri më 2014, e ka mohuar këtë. “Mohoj se unë ose dikush tjetër nga ana ime ka arritur marrëveshje me Cityn. Kam kontratë dhe nuk duhet të përgjigjem në pyetje që nuk kanë bazë”, deklaroi ai në konferencë për shtyp para ndeshjes me Osasunën.