E Diel, 1 Nëntor 2026

Premtoi lirimin e hajdutit nga burgu, hetohet për mashtrim 39-vjeçari Isaku

 

TIRANE - Një 39-vjeçar është marrë në hetim nga Seksioni i Antikrimit Ekonomik të Tiranës, pasi akuzohet për vjedhje nëpërmjet mashtrimit. Sipas burimeve nga policia mësohet se Genci Isaku, duke pretenduar se kishte njohje me njerëz të drejtësisë, ka mashtruar një nënë, të cilës i ka premtuar se do t'i nxirrte djalin nga burgu. Isaku është kallëzuar në policinë e kryeqytetit nga 55-vjeçarja Fatbardha Zana, të cilës rreth një javë më parë i ka marrë 260 mijë lekë të reja, në këmbim të favorit që i kishte premtuar dhe më pas është "zhdukur" bashkë me paratë. Sipas dëshmisë që ajo ka dhënë në polici mësohet se gjatë një bisede me 39-vjeçarin Isaku, Zana i kishte treguar se kishte djalin në burg dhe kërkonte të bënte diçka për ta liruar. Djali i Fatbardha Zanës është arrestuar në muajin shkurt të këtij viti, për një vjedhje që kishte realizuar në pargingun e QTU-së. Renato Zana, 27 vjeça është arrestuar, pasi ishte person i shpallur në kërkim që në dhjetor të vitit të kaluar, pasi kishte vjedhur 50 mijë lekë të reja në parkingun e Qendrës Tregtare "Univers" në kryeqytet. Renato Zana ka qenë i dënuar edhe më parë për të njëjtën akuzë dhe tashmë ndodhet në qelitë e paraburgimit të Burgut 313 në Tiranë. Tentativa e nënës së tij për ta liruar nga burgu ka dështuar dhe personi që i kishte premtuar lirinë e të birit tashmë procedohet penalisht në gjendje të lirë nga Antikrimi Ekonomik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›