Studentët, kapet shefja e agjencisë
Etleva Delia
Bllokimi i 167 studentëve në portin e Triestes, në Itali, pas anulimit të vizave nga Ambasada Hungareze në Tiranë, ka sjellë arrestimin e dy personave, hetimin e 4 të tjerëve dhe vënien në përgjegjësi penale të agjencisë turistike. Hetimet zbuluan se ambasada jo pa qëllim kishte anuluar vizat, pasi jo të gjithë personat që do të bënin udhëtimin turistik në Spanjë ishin studentë. Katër prej tyre, me dokumente të falsifikuara, të ndihmuar nga dy organizatorët e arrestuar, kanë përfituar viza, për të kaluar në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, pa pasur qëllim udhëtimin turistik. Strukturat e Hetimit të Krimit në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit në Durrës, si dhe policitë e Durrësit dhe Tiranës, arrestuan dje Iris Çekanin, administratore e agjencisë turistike "Mar-Est.Travel" dhe studentin e Juridikut në një universitet privat, Valter Marashi. Sipas burimeve nga policia, mësohet se 37-vjeçarja Çekani dhe 21-vjeçari Marashi, akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në datën 6 maj, nëpërmjet mashtrimit për udhëtim turistik nga Sllovenia në Spanjë, në mënyrë të jashtëligjshme kanë marrë 167 viza turistike në Ambasadën Hungareze në Tiranë. Në listën e personave që kanë marrë viza, përveç studentëve të universiteteve private, janë futur dhe persona të tjerë që nuk kanë qenë studentë. Ata kanë aplikuar me dokumenteve të falsifikuara, kundrejt një shume të konsiderueshme të hollash, që arrin në 1500 euro secili, kanë përfituar në mënyrë të pa rregullt viza për në vendet e BE-së.
TRAFIKU
Nga verifikimi i dokumentacionit të dorëzuar në Ambasadën Hungareze, për marrjen e vizave turistike, ka rezultuar se katër persona kishin paraqitur dokumente të falsifikuara. Ata ishin ndihmuar nga studenti i vitit të dytë të universitetit privat, Valter Marashi, i cili u kishte nxjerrë dokumente sikur ishin studentë dhe po kështu edhe nga administratorja e agjencisë, Iris Çekani. Hetimet zbuluan se këta persona, kanë tentuar të trafikojnë në vende të ndryshme të BE-së, dy djem nga Berati, një nga Lushnja, dhe një vajzë nga Tirana, me arsim të lartë, të cilët kishin paguar mbi 1500 euro për person, për të marrë vizat. Për katër persona, që ishin në mes të 167 studentëve, tashmë ka nisur procedim penal në gjendje të lirë. Ata janë Marios Rizai, 23 vjeç dhe Taulant Bega, 22 vjeç, nga Berati, Nazmi Zeneli, 18 vjeç, nga Lushnja si dhe Ada Qadhimi, 25 vjeç, nga Tirana. Këta persona, akuzohen se në mënyrë të parregullt, nëpërmjet falsifikimit të dokumentacionit, kundrejt shumave të konsiderueshme, janë pajisur me viza turistike për të udhëtuar jashtë shtetit. Burimet sqarojnë se këto viza janë anuluar nga Ambasada Hungareze në Tiranë dhe të gjithë personat e pajisur me viza, janë kthyer në portin e Durrësit, ndërsa vazhdon puna për intervistimin e të gjithë personave të kthyer dhe verifikimin e personave të tjerë, të implikuar në këtë aktivitet kriminal. Mbi personat e implikuar në këtë ngjarje rëndon akuza e "korrupsionit pasiv në sektorin privat", "falsifikimit të dokumenteve më shumë se një herë" dhe "mashtrimit për qëllim fitimi", ndërkohë që u referuan në prokurori materialet për marrjen në përgjegjësi penale të agjencisë turistike "Mar-Est. Travel", si person juridik. 167 studentë mbetën të bllokuar rreth tre ditë në Trieste të Italisë, pasi Ambasada Hungareze anuloi vizat e tyre, gjatë kohës kur ishin nisur për udhëtim.
TE ARRESTUAR
1. Iris Çekani, administratore e agjencisë turistike
"Mar-Est.Travel"
2. Valter Marashi, studentë i vitit dytë, fakulteti Juridik në Universitetin UFO
NE GJENDJE TE LIRE
1. Marios Rizai, 23 vjeç
2. Taulante Bega, 21 vjeç
3. Nazmi Zeneli, 17 vjeç
4. Ada Qadhimi, 24 vjeç
Trieste, studentët u bllokuan nga vizat
TIRANE - Më 6 maj një grup prej 167 studentësh kanë lajmëruar se ishin nisur për një udhëtim turistik drejt Spanjës, por kanë mbetur të bllokuar në portin e Triestes në Itali, pasi Ambasada Hungareze u kishte anulluar vizat gjatë udhëtimit. Trageti "Venezia", i cili transportonte studentët e disa universiteteve private në Tiranë, ka mbërritur pasditen e së enjtes në Portin e Triestes, ku edhe është bllokuar për shkak të problemeve në dokumentacion të studentëve që po lëviznin për një udhëtim turistik. Studentët e kanë kaluar natën mes të enjtes dhe të premtes në ambientet e tragetit dhe në të njëjtat kushte kanë kaluar edhe natën e të premtes. Të rinjtë ishin nisur për në Slloveni, nga ku më pas do të shkonin në Spanjë për një udhëtim turistik disaditor, por parregullsia e dokumentacionit që kanë pasur disa nga personat që ndodheshin me ta, të cilët më vonë rezultuan që nuk ishin studentë, por synonin vendet e BE-së, ka sjellë anullimin e udhëtimit dhe kthimin e tyre të djelën në portin e Durrësit.