E Shtunë, 31 Tetor 2026

Premtojnë përkrahje për Rahovecin dhe Hoqën e Madhe

(E plotësuar) Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, e shoqëruar edhe nga zëvendëskryeministri dhe ministri i pushtetit lokal, Sllobodan Petroviq, të martën vizituan Rahovecin dhe Hoqën e Madhe, në mënyrë që të njihet për së afërmi me aktivitetet, projektet si dhe me problemet dhe vështirësitë, me të cilat ballafaqohet kjo komunë. Jahjaga, pas vizitës bërë Verarisë në Hoqë të Madhe, premtoi përkrahje të fuqishme për Komunën e Rahovecit.

“Si presidente e vendit dëshiroj të jem nëpër komuna, të bisedoj me kryetarë të komunave dhe qytetarët tanë, që t’i shohim më për së afërmi të gjitha aktivitetet, projektet si dhe problemet dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen komunat dhe nivelet e pushtetit lokal. Njëherit ju ofroj përkrahjen dhe mbështetjen time të fuqishme si presidente e vendit, gjithmonë duke respektuar kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe gjithmonë duke pasur parasysh që të ofrojmë shërbime sa më të mira për qytetarët tanë në të gjitha komunat e republikës së Kosovës”, tha Jahjaga.

Edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, njëherit dhe ministër i Pushtetit Lokal, Sllobodan Petroviq, gjatë vizitës në Hoqë të Madhe, pohoi se ky është një shembull i mirë për një të ardhme të mirë. Ai po ashtu falënderoi qytetarët të cilët jetojnë këtu, duke pohuar se ata po japin një shembull pozitiv, përkundër sfidave që kanë para vetes.

“Ky është një rast i mirë, një shembull i mirë për një të ardhme më të mirë. Së bashku me kryetarin e komunës, kemi marrë shumë obligime të tjera për t’i realizuar, me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve tanë. Falënderoj para se gjithash qytetarët tanë, të cilët jetojnë këtu dhe të cilët para të gjitha këtyre sfidave po japin një mesazh pozitiv. Kjo tregon interesimin e institucioneve tona për këtë territor”, tha ai.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Rahovecit. Smajl Latifi. tha se vizita e presidentes dëshmon më së miri se do të vazhdojë përkrahja dhe mbështetja e institucionet e pushtetit lokal të Komunës së Rahovecit.

“Ne gjithsesi do të vazhdojmë të punojmë dhe të krijojmë klimë të përshtatshme dhe të investojmë në vepra konkrete, në dobi dhe interes të qytetarëve të komunës pa dallim, përfshirë dhe qytetarët e Hoqës së Madhe. Ne apeluam tek zëvendëskryeministri, ministri i pushtetit lokal, njëkohësisht dhe tek presidentja, që të fuqizohet mbështetja konkrete për komunën e Rahovecit”, tha ai.

Ai tha se për Komunën e Rahovecit është lajm i mirë vizita e presidentes Jahjaga, po ashtu dhe e ministrit të Pushtetit Lokal, i cili sipas tij, po e mbështet Rahovecin me projekte konkrete, atë për ndriçimin publik dhe rregullimin e parkut.

Latifi më tej pohoi se kanë planifikuar projekte për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në këtë zonë dhe projekte për mbrojtjen e mjedisit, duke shpresuar se në këtë rrugëtim do ta kenë edhe mbështetjen e fuqishme të institucioneve të vendit. Latifi nuk deshi të komentojë se a kanë diskutuar me presidenten në lidhje me projektligjin për Hoqën e Madhe, duke pohuar se po përurojmë vepra konkrete, të cilat do të ndikojnë dobishëm në përmirësimin e jetës së banorëve të kësaj pjese.

Por për qytetarët e Hoqës së Madhe, vizita e presidentes, nuk kishte ndonjë rëndësi të veçantë. Jefta Gogiq, i cili jeton në këtë fshat, pohoi se për të nuk ka aspak rëndësi nëse presidentja Jahjaga e viziton Hoqën apo jo.

“Kurgja hiq, qysh ka ardhur ashtu ka shkuar, ka ardhë ku ka zingjin. Ajo s’ka fol me fukaratë, por me ata që kanë pare boll. Ne jemi plakur, askush s’po na këqyr”, tha ai.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›