E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri niset për vizitë zyrtare në Kinë



Kryeministri Sali Berisha u nis dje për një vizitë zyrtare katërditore në Kinë, me ftesë të Kryeministrit të Republikës Popullore të Kinës, Wen Jiaboa. Gjatë kësaj vizite, Kryeministri Berisha është i ftuar të marrë pjesë edhe në Forumin Vjetor Ekonomik për Azinë (BOAO), i cili këtë vit do të ndalet gjerësisht në menaxhimin e situatës pas krizës botërore ekonomike, në ndikimin e saj në ekonominë aziatike dhe se si ky rajon po përballet me efektivitet me sfidat e ngritura prej krizës. Më pas, Berisha do të ndodhet në Pekin, ku do të pritet në takim nga Kryeministri i Republikës Popullore të Kinës, Wen Jiaboa dhe nga Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Hu Jintao. Gjatë kësaj vizite zyrtare do të firmoset një program i ndërsjellë për bashkëpunim kulturor.

Ulja e taksës së biznesit të vogël, me shpejtësi në Kuvend

Projektligji i qeverisë për uljen e taksës së biznesit të vogël deri në 20 për qind do të miratohet me shpejtësi nga ana e Kuvendit. Zëdhënësja e Kryeministrit Berisha, Juela Meçani, informoi dje se Kryeministri foli me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, në mënyrë që ky ligj të kalojë sa më shpejt në procedurë parlamentare. “Për arsye se në drejtim të Kryeministrit kanë ardhur kërkesa të shumta nga përfaqësues të biznesit të vogël, të cilët kërkojnë hyrjen sa më shpejt në fuqi të ligjit që mbron biznesin e vogël nga tatimet abuzive, të cilat e rëndojnë atë, Kryeministri Berisha ka komunikuar me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, dhe i ka kërkuar asaj që të bëjë çdo përpjekje në mënyrë që ligji, i cili mbron biznesin e vogël nga tatimet abuzive, të miratohet sa më shpejt”, - informoi Meçani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›