Prençi firmos lëvizjet në drejtimin e Policisë së Tiranës
Tiranë - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ahmet Prençi firmosi dje transferime në radhët e drejtuesve me uniformë. Kështu për Drejtuesin e Parë Muhamet Rrumbullaku ai firmosi largimin (me kërkesën e tij) nga drejtor i Drejtorisë Policisë së Qarkut Tiranë në detyrën e re, drejtori i Akademisë së Policisë dhe Drejtuesit të Parë Shkëlqim Saço, si Drejtor i Drejtorisë së Arsimit Policor në Departamentin e Trajnimit Policor. Në raportin e zëdhënësit të Policisë së Shtetit thuhet se emërimet e djeshme jep sinjalin e rëndësisë që Policia e Shtetit po i kushton shërbimit ndaj publikut. “Të dy këta drejtues policorë janë dalluar për profesionalizëm dhe përkushtim, dhe ata do të jenë në gjendje të përballojnë sfidat për implementimin e një modeli më profesional për trajnimin e policisë, ashtu siç kërkohet nga ligji i ri i Policisë së Shtetit”, - shkruhet në komunikatën për shtyp të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Drejtues i Parë Muhamet Rrumbullaku do të drejtojë të gjitha trajnimet për personelin e ri që do të shërbej në polici, si dhe programin e trajnimit bazë 11 javor, i nevojshmen për 6500 oficerë policie në nivel operacional. Ky trajnim do të përfshijë përgatitjen e një stafi më profesional; do të menaxhojë oficerët për trajnimet në terren, si dhe koordinimin e një investimi prej 6 milionë eurosh në Akademinë e Policisë, investim i dhënë nga BE. Drejtues i Parë Shkëlqim Saço do të jetë përgjegjës për menaxhimin e të gjitha trajnimeve për zhvillim profesional në të 12 drejtoritë e qarqeve si dhe të gjithë departamenteve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Këto lëvizje në Policinë e Shtetit, janë mirëpritur dhe mbështetur edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që asistojnë policinë, ICITAP dhe PAMECA, të cilët kanë ofruar këshilltarët e tyre me kohë të plotë për të mbështetur punën e këtyre strukturave.
Lëvizjet e kryera nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë
1. Drejtues i Parë Muhamet Rrumbullaku, deri tani Drejtor i Policisë Qarkut Tiranë emërohet Drejtor i Akademisë së Policisë
2. Drejtues i Parë Hamdi Fjora me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Forcave Lëvizëse Operacionale, në Departamentin e Sigurisë Publike, caktohet përkohësisht si Drejtor i Policisë Qarkut Tiranë.
3. Drejtues i Parë Jashar Vreka, deri tani Drejtor i Akademisë së Policisë emërohet Këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë.
4. Drejtues i Parë Shkëlqim Saço, deri më tani Këshilltarë i Drejtorit të Përgjithshëm, emërohet Drejtor i Drejtorisë së Arsimimit Policor në Departamentin e Trajnimeve.
5. Drejtues Edmond Rizai, deri me tani Zv.drejtor i Policisë Qarkut Tiranë, emërohet Këshilltar i Drejtorit të Përgjithshëm.
6. Kryekomisar Arben Caka, deri tani kryente detyrën e Shefit të Seksionit të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, caktohet përkohësisht si Zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve në Drejtorin e Policisë së Qarkut Tiranë.
15 Tetor 2008