E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prendi: Asnjë informacion nga SHISH-i

04/02/2011  Komandanti i Gardës dëshmon para komisionit hetimor për 21 janarin

“Pas thirrjeve me megafon kemi qëlluar në ajër”

Komisioni hetimor për demonstratën e 21 janarit zhvilloi mbrëmjen e djeshme seancën e radhës dëgjimore me komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi. Në dëshminë e tij Prendi tha se informacionet për dhunën që do ushtrohej atë ditë para godinës së Kryeministrisë i kanë ardhur nga Policia e Shtetit dhe jo nga Shërbimi Informativ, që e ka detyrim ligjor informimin e institucioneve. “Për ngjarjen e 21 janarit nuk kemi pasur asnjë informacion nga Shërbimi Informativ. SHISH-i e ka detyrim ligjor që të informojë të gjitha institucionet shtetërore, në rast se ka situata problematike, siç ishte ngjarja e 21 janarit. Dhe në këtë rast SHISH-i nuk e bëri këtë”, - deklaroi Prendi.

Gjatë dëshmisë së tij para komisionit hetimor komandanti i Gardës deklaroi se ditën e demonstratës së 21 janarit efektivat e Gardës së Republikës kanë qenë të autorizuara të qëllojnë me armë vetëm në ajër në rast rreziku.

Informacionet

Kreu i Gardës tha mbrëmë para komisionit hetimor se policia ka informuar për dhunë ndaj institucioneve që më datën 30 dhjetor të vitit të kaluar. “Informacioni tjetër na është vënë në dispozicion më 17 janar, por dhe më 21 janar”, - tha Prendi. Kreu i Gardës së Republikës dëshmoi se gjatë ngjarjeve të 21 janarit, rreth orës 15:00, ka tentuar të lidhet me drejtorin e përgjithshëm të Policisë, pasi forcat e rendit kishin lënë zbuluar një pjesë të perimetrit të Kryeministrisë. Sipas komandantit të Gardës, me kreun e Policisë ka komunikuar Qendra Operacionale, e cila ka vënë në dijeni kreun e Policisë për situatën dhe më pas janë marrë masat. “Në mënyrë të vazhdueshme kam qenë në komunikim me ministrin e Brendshëm, të cilin e kam informuar në vijimësi. Porosia e tij ka qenë ruajtja e gjakftohtësisë, çka e kam përcjellë tek efektivat”, - dëshmoi gjeneral Ndrea Prendi.

Plani i masave

I pyetur nga anëtarët e komisionit në lidhje me detyrën që i përket Gardës së Republikës për mbrojtjen e zyrtarëve të lartë të shtetit, ai theksoi se rritja e masave të sigurisë është bërë për Presidentin, Kryeministrin, kryetarin e opozitës dhe prokuroren e përgjithshme. Duke iu referuar dhe informacioneve të mëparshme, komandanti i Gardës, Ndrea Prendi, u shpreh në komisionin hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 janarit se ka urdhëruar shtimin e masave të sigurisë për kryeministrin e vendit që më datën 19 janar. “Për shtimin e masave të sigurisë janë bërë tri shkresa të dërguara nga strukturat kundër krimeve të rënda dhe krimit të organizuar në Policinë e shtetit. Dhe në këto shkresa të Policisë së Shtetit përshkruhej se persona të caktuar ishin shprehur paraprakisht se do të ndërmerrnin hapa kundër kryeministrit të vendit”, - tha kryegardisti Ndrea Prendi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›