E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vendosja e kryqit në fshatin Boboshticë u bë pa leje”

04/02/2011  Flet Naum Disho: Nuk jam shprehur se do ta helenizoj Korçën

KORÇË- I shndërruar në një personazh shumë të përfolur muajt e fundit, Naum Disho, kryetari i sapozgjedhur i OMONIA-s për qarkun e Korçës, nëpërmjet një deklarate të gjatë tregon se shumë nga ato që janë thënë prej tij nuk janë të vërteta.

Shfajësimet

“Asnjëherë nuk kam deklaruar se do të luftoj për helenizimin e Korçës”, pohon Disho, duke shtuar se kjo është një gënjeshtër e trilluar nga klane të ndryshme, që nuk e duan Korçën. “Edhe sikur të dua, kush jam unë që mund të greqizoj Korçën”, pyet dhe përgjigjet Disho. Korça, vijon Disho, nuk mund helenizohet se ka një komunitet vllah apo se janë varrosur dy ushtarë grek në Boboshticës. “Këtu ekzistojnë 640 varre të ushtarëve francezë, por smund të themi se Korça është franceze”, shprehet Disho. “Unë e dua Greqinë se kam origjinën e prindërve të mi, por Korçën e dua më shumë, sepse këtu kam lindur dhe janë rritur”, shton ai. Sipas tij, në qarkun e Korçës, në juglindje të vendit, ekziston një komunitet vllah me origjinë greke që fatmirësisht bashkëjetojnë mrekullisht me shqiptarët. “Në Korçë veç vllehëve nuk ka grekë të tjerë”, specifikon Disho. Disho thekson se gjatë 52 viteve të jetës së tij, kurrë nuk ka paragjykuar apo diskriminuar shqiptarë, siç është shkruar kohët e fundit në media. “Ndihem krenar që jam gjysh dhe dhëndëri i time vajze është një mysliman”, thekson Disho. “Ne vllehët me myslimanët kemi marrëdhënie të shkëlqyera, pa llogaritur krushqitë e shumta që kemi bërë me ta”, vazhdon ai. Për të, vendosja e kryqit në varrezat 300-vjeçare në fshatin Boboshticë, rreth 5 km larg Korçës, ishte një lapsus, pasi, sipas tij, ai nuk morri “ok” ligjore nga komuna e Drenovës përpara se të fillonte punimet. “Nuk e mendova kurrë se nderimi me kryqin e vendosur dhe betonizimi i vendit ku janë varrosur dy ushtarë grekë të vrarë gjatë luftës italo-greke do të sillnin kaq shumë probleme”, deklaron Disho. Sakaq, kryetari i sapozgjedhur i OMONIA-s për qarkun e Korçës, thotë se organizata e tij nuk ka “lidhje gjaku” me organizatën e Vasil Bollanos. “Bollano është kryetar i pakicave, i cili nuk e di ku bie Korça”, pohon Disho, duke nënkuptuar se organizata politike OMONIA, me seli në Sarandë, nuk ka lidhje me organizatën me të njëjtin emër, me seli në Korçë. Me të njëjtin opinion, Disho flet edhe kryetarin e PBDNJ-it Vangjel Dule, duke e akuzuar atë për dredhi politike dhe mosmirënjohje ndaj votave të komunitetin vllah. “Dule vjen në Korçë vetëm ku i duhen votat, pastaj na kthen shpinën”, shprehet Disho, i cili shton se ai nuk është kryetar i vizave, por përfaqësues i komunitetin vllah.

Telnis Skuqi

Reagimi

Në një reagim të menjëhershëm pas akuzave që iu bënë nga shumë qytetarë të Korçës Naum Disho tha: Të gjithë helenët e Korçës të jenë krenarë për origjinën e tyre dhe i ftojmë në vazhdim të anëtarësohen pranë të vetmes organizatë legjitime e të rajonit Korçë, e cila është “Omonia”, dhe të mbyllin sytë dhe veshët ndaj fjalëve të aventuriereve dhe individëve antihelenë, të cilët i kanë mashtruar me mijëra herë në të kaluarën. Kryetari i ligjshëm dhe i zgjedhur i organizatës “Omonoia” për rajonin Korçë, Naum Disho, fton ata që dyshojnë për rezultatin të numërojnë fletët e votimit dhe të nxjerrin konkluzione se sa demokratike dhe transparente ishin zgjedhjet, në krahasim me zgjedhjet e tjera të zhvilluara në të kaluarën në organizata të tjera ne Korçë. “Shërbëtori i vogël vllah” Naum Disho deklaron se ka thyer prangat e tij dhe fton të gjithë vllaho-folësit e rajonit Korçë të kujtojnë origjinën e paraardhësve të tyre, të lexojnë emrat e tyre në greqisht dhe të jenë të sigurt se nuk ka ortodoks që dhunon varre, por vetëm “të importuar” në Korçë antiortodoksë dhe provokatorë. “Shërbëtori i vogël vllah” Naum Disho fton të gjithë helenët e Korçës të inkuadrohen ne organizatën “Omonia” rajoni Korçë për të kërkuar të drejtat që u janë përligjur gjatë dekadave të persekutimit, vrasjeve dhe shtypjeve. Duam përsëri historinë, gjuhën, traditat dhe idealet tona nga ata që na i privuan gjithë këto vite.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›