Prendi përballet sot me gjykatën, prokurori kërkon mbylljen në qeli
TIRANË- Komandanti i Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, shoferi i tij Margarit Kume dhe inxhinieri i kryeministrisë Armando Kasa do të përballen sërish sot përpara trupit gjykues në një seancë ku prokuroria kërkon ndryshimin e masës së sigurisë nga arrest shtëpie në arrest me burg. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë organit qendror të akuzës dhe atyre të togave të zeza, sipas të cilëve, gjyqtari Shkëlqim Mustafa do të shqyrtoi paraditen e sotme kërkesat e prokurorisë për zëvendësimin e masave të sigurisë ndaj tre të dyshuarve.
Mësohet se kanë qenë prokuroret e çështjes Genci Qano dhe Ndini Tavani, të cilët pak ditë më parë përveç ankimit të vendimit të caktimit të masave të sigurisë pranë Gjykatës së Apelit, kanë kërkuar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë zëvendësimin e masave të sigurisë. Pritet që gjyqtari i çështjes Shkëlqim Mustafa, paraditen e sotme të marrë në shqyrtim kërkesat e prokurorisë, ku do të njihet me provat e reja që hetuesit e çështjes i kanë siguruar, por që nuk janë përdorur në kërkesat e caktimit të masave të sigurisë në seancën e datës 22 Janar 2012.
Përveç ankimit të vendimit në Gjykatën e Apelit, prokuroria ka dorëzuar kërkesat për zëvendësimin e masave të sigurisë edhe pranë Gjykatës së Shkallës së Parë. Si prova të reja, prokuroria ka dorëzuar edhe dy vendimet e sekuestrimit, në lidhje me identifikimin e armës së komandantit Ndrea Prendi. Është ky vendim i prokurorit, me të cilën është sekuestruar arma e Prendit, ku ky i fundit shkresën e sekuestrimit të tetë pistoletave të kërkuar nga prokuroria, e ka sigluar dhe më pas ia ka kaluar shefit të armatimeve që tia vë në dispozicion hetimit. Në këtë shkresë, thuhet tekstualisht kërkojmë ndër të tjera edhe armën e llojit pistoletë 9 mm të llojit Bereta me nr.P52796Z që figuron se është në përdorim nga komandanti Ndra Prendi. Këtë shkresë, e ka sigluar vetë Prendi, duke i dhënë urdhër shefit të armatimeve që tia vë në dispozicion organit të akuzës,- thuhet nga të dhënat e organit të akuzës.
Kjo provë, mësohet se tashmë i është bashkangjitur apelimit të vendimit të datës 22 Janarit 2011 të dhënë nga gjyqtari Shkëlqim Mustafa, i cili hodhi dyshime mbi faktin nëse pistoleta ishte apo jo e Ndrea Prendit dhe për këtë arsye prokuroria përveç se në Gjykatën e Apelit, i është drejtuar edhe Gjykatës së Shkallës së Parë. Bazuar në këto dokumente shkresore prokuroria do të kërkojë mbajtjen në qeli të komandantit të Gardës së Republikës dhe shoferit të tij, Margarit Kume. Ndërkaq, seanca gjyqësore pranë Gjykatës së Apelit pritet të mbahet nga fillimi i javës së ardhshme. Edhe për IT-in e kryeministrisë shtetasin Armando Kasa, mësohet se prokurori i task-forcës Ndini Tavani, ka ankimuar vendimin e datës 22 Janar dhe ka kërkuar zëvendësimin e masës së caktuar nga gjyqtari.
Mësohet se ndër të tjera, prokurori Tavani në ankimin dhe kërkesën për zëvendësim të masës ka paraqitur disa prova që faktojnë se i dyshuari Kasa ka dalë nga ndërtesa e kryeministrisë me datë 22 Janar 2011 rreth orës 02:00 pas mesnate. Për tre të dyshuarit, togat e zeza dhanë vendimet e arrestit në shtëpi edhe pse FBI-ja identifiko se nga arma e Prendit gjeti vdekjen demonstruesi Faik Myrtaj dhe shoferi i tij Kume tentoi të prish provat, duke ndërruar tytën dhe prish gjilpërën e armës së Prendit. Ndërsa Kasa, rezultoi se përveç i ka kopjuar pamjet filmike të regjistruara nga kamerat e sigurisë edhe i ka fshirë ato, duke fshehur provat e prokurorisë
