Dule jo dakord me linjen politike te PS-se

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, pjesë e opozitës, ka treguar kohët e fundit lëkundje në qendrimet politike antiqeveritare. Kjo forcë politike, përfaqësohet në Kuvendin e Shqipërisë nga kryetari i saj Vangjel Dule. Pikërisht numri një i PBDNJ-së ka lënë të kuptohet përmes lëvizjeve të tij politike se nuk është tërësisht dakord me linjën politike që po ndjek aleanca opozitare e drejtuar nga Partia Socialiste. Zoti Dule, ka votuar në Parlament pro kandidaturës së Ardian Fullanit, duke bashkuar votën e tij me mazhorancën qeverisëse, ndërkohë që grupi parlamentar socialist kishte vendosur votën politike kundër kësaj kanidature. Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, ka votuar në mbështetje të kërkesës së mazhorancës për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për shkarkimin e zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Edhe në këtë rast opozita votoi kundër. Vangjel Dule, prej kohësh nuk merr pjesë në mbledhjet e opozitës së bashkuar, duke lënë të kuptohet mospajtimin e tij me politikat që krerët e partive opozitare diskutojnë në këto takime pune. Vangjel Dule, formalisht pjesë e opozitës, ka dhënë sinjale të qarta për mosdakordësinë e tij me aleatët e deritanishëm opozitarë. Nuk është çudi që këto sinjale mund të konrektizohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.