Teuta Hoxha: Janë zhdukur 130 dokumente origjinale të Enverit
Teuta Hoxha, nusja e djalit të Enver Hoxhës, Ilirit, është njeriu që ka zbuluar zhdukjen e dokumenteve origjinale të Enver Hoxhës nga arkivat. Në këtë intervistë për Shekullin, ajo tregon se dyshimet kanë lindur kur u botua libri Enver Hoxha i Blendi Fevziut. Ajo tregon për korrespondencën me tre ish-kryeministra dhe dy ish-presidentë në lidhje me dokumentet e familjes Hoxha, si dhe fërkimet që familja ka pasur me Arkivin e Shtetit. Teuta Hoxha tregon edhe të vërtetën e arkivit personal që ndodhet nën ruajtjen e familjes Hoxha dhe që nuk është në Arkivin e Shtetit.
Zonja Teuta Hoxha, Ju keni konstatuar mungesën e dokumenteve origjinale nga arkiva. Mund të na thoni konkretisht se cilat dokumente mungojnë?
Ne kemi vetëm faktin e madh që ditarët dhe kujtimet, 130 blloqe tip axhendash dhe blloqe kalendar që janë të shkruar nga vetë Enver Hoxha. Janë zhdukur të gjitha. Historia është e tillë: ditarët, kur mbaronte viti i dorëzonte tek sekretari Haxhi Kroi. Ky i dorëzonte në Arkiv. Kemi dokumente që janë dorëzuar dhe këtë do ta çojmë në prokurori. Kur u ndryshoi sistemi, Arkivi i kaloi PS-së për një kohë të shkurtër, pasi u cilësua si pasuesja e PPSH-së. Partia Socialiste i dorëzoi këto dokumente në Arkivin e Shtetit.
Ju keni kontrolluar më parë për këto dokumente?
Në më shumë se 20 vite, ne si familje kemi qenë shumë të shqetësuar për materialet. Familja është kujdesur për letrat dhe reliket e Enverit, por nuk ka marrë përgjigje. Familja i ka bërë letra tre kryeministrave socialistë, Fatos Nanos, Ilir Metës dhe Pandeli Majkos, por pa marrë asnjë përgjigje. I janë bërë letra edhe dy presidentëve, Rexhep Meidanit dhe Alfred Moisiut. Vetëm Moisiu na ka dërguar një letër, por edhe ajo nuk na sqaronte.
Përse ky shqetësim?
Shqetësimin e kemi pasur ndër vite, pasi nuk dihet se çfarë është bërë me objektet e Enver Hoxhës, për ato që ndodheshin në muzeun e tij etj. Por, nga ana e dokumenteve, ne ishim të qetë, pasi për ne Arkivi ishte një institucion tabu nga ku nuk lëvizte gjë prej gjëje. Ne e kemi diskutuar disa herë në familje dhe thoshim shyqyr që janë në Arkiv se aty nuk luajnë. Në Shqipëri kanë kaluar edhe pushtues, por armiku nuk i ka prekur dokumentet që ndodheshin në Arkivat e Shtetit. Ishim shumë të qetë në këtë pikë.
Kur ishit të qetë, përse shkuat në Arkiv dhe kontrolluat për dokumentet?
E hapëm tani si çështje, pasi pamë që Blendi Fevziu bëri librin Enver Hoxha. Ai shfrytëzoi dokumente private për këtë gjë. Ne kemi punuar në arkiv, si unë, ashtu edhe Nexhmija, dhe e dinim që dokumentet personale nuk jepen për shfrytëzim për një periudhë nga 50 deri në 100 vjet. Madje, edhe në këtë rast jepen me lejen e familjarëve. Shqetësimi ynë u ngrit kur pamë këtë shkelje që ishte bërë në Arkiv. Kjo më shtyu të shkoja në Arkivin e Shtetit dhe kur shkova mësuam se nuk kishte asnjë dokument origjinal, asnjë bllok-ditar dhe arkiv.
Ju akuzoni Blendi Fevziun për përvetësimin e dokumenteve?
Nuk mund të akuzoj Fevziun, pasi nuk e di nëse ai ka përdorur dokumentet origjinale apo kopjet. Fevziu nuk e përcakton në libër, nëse është origjinal apo kopje. Ai nuk ka vënë indikacionet dhe burimin, nuk ka bërë as gjërat më elementare që duhen në ishin në një biografi.
Atëherë, cilët mund të jenë personat përgjegjës për këtë ngjarje? Keni të dhëna për të akuzuar dikë me emër?
Ne nuk kemi indikacione për personat që mund të kenë zhdukur këto dokumente. Nuk duam të akuzojmë askënd dhe për këtë arsye do ta dërgojmë çështjen në prokurori, në mënyrë që ajo të gjejë të vërtetën. Nuk kemi prova që të drejtojmë gishtin tek personat konkretë.
Po filmimet që janë transmetuar këto kohë në TV?
Ato janë krejtësisht private dhe personale, Blendi Fevziu duhet të thotë se ku i ka gjetur filmimet që ka transmetuar. Ato ishin të arkivat private. Me lejen e kujt i transmeton ai ato? Aty duket qartë që janë imazhe të jetës private. Aty preket jo vetëm Enver Hoxha, por të gjithë ne të tjerët. Secili prej nesh mund të bëjë një padi në gjykatë e të pretendojë se i është shkelur jeta private. Kam disa të dhëna për këtë gjë dhe do të jenë pjesë e padisë që do të dorëzohet në prokurori.
Por drejtoresha e Arkivit, zonja Nika, ka thënë se dokumentet i ka marrë familja…
Nga ana e saj nuk duhej ngritur asnjë akuzë. Për sa kohë që interesi i përbashkët, i yni dhe i saji, është që të kemi origjinalet e dokumenteve, ne duhet tia kishim lënë çështjen prokurorisë. Nuk është mirë të bëjmë akuza kundër njëri-tjetrit, por duhet gjetur e vërteta dhe dokumentet.
Mendoni se këto dokumente janë marrë si sende me vlerë apo janë zhdukur për tu asgjësuar?
Nuk e dimë kush i ka marrë dhe nuk mund të them përse janë marrë. Nëse do të dinim kush i ka marrë dokumentet mund të thoshim se për çfarë e ka kryer atë veprim.
Është folur për një arkiv personal të Enver Hoxhës, të cilën e mban të fshehur familja. Si është e vërteta e kësaj historie?
Është e vërtetë që ekziston një arkiv personal dhe këtë e kemi ne në familje. Bëhet fjalë për një korrespondencë shumë të pasur që nga koha e luftës mes Enverit dhe Nexhmijes, korrespondenca e kohës së socializmit dhe korrespondenca e fëmijëve me Enverin dhe Nexhmijen gjatë viteve të pasluftës. Por kjo është personale. Janë dokumente që kanë lidhje me origjinën e familjes. Aty ndodhen dokumente dhe letra që i janë dërguar në kohë urimi festash ditëlindjesh, telegrame etj. Po flasim për një familje me shumë histori dhe çdo familje me histori ka një dokumentacion, i cili i përket familjes. Aty janë dokumente të familjes që lidhen edhe me historinë e përpara luftës. Kjo nuk është si disa familje të tjera. Arkivi nuk ka pse të zilepset për këtë.
E keni menduar ndonjë herë tia jepni këto dokumente Arkivit?
Shumë herë e kemi diskutuar dhe kemi menduar se një ditë do tia japin Arkivit. Madje, ne kishim ndër mend të bashkëpunonim me arkivin, por në këtë derexhe që ndodhet sot, as që bëhet fjalë.
* * *
Drejtoresha e Arkivit Qendror të Shtetit ka deklaruar dje se institucioni që ajo drejton nuk ka disponuar kurrë dorëshkrime origjinale të ditarëve të diktatorit Enver Hoxha. Madje, sipas saj, askush nuk i ka parë këto dokumente origjinale. Reagimi i Nikës vlen pas shqetësimit të ngritur publikisht nga familja Hoxha se janë zhdukur dokumentet origjinale të Enver Hoxhës. Ata mund ti kenë edhe vetë dorëshkrimet origjinale në arkivat privatë. Ajo (Nexhmije Hoxha) ia ka ditur dhe ua di vlerën, nuk mund ti ketë lëshuar nga dora kollaj. Kush më shumë përveç saj mund të këtë dorëshkrimet origjinale të burrit të vet, – është shprehur Nevila Nika
Ajo shpjegon se kur Arkiva e Partisë së Punës, është dorëzuar bruto në vitin 1992, nga qyteti i Skraparit, janë marrë vetëm fotokopjet e tyre, pasi origjinale nuk kishte. Drejtoresha e Arkivës së Shtetit, Nevila Nika, shton se një pjesë e mirë e ditarëve politikë, që kanë të bëjnë me Enver Hoxhën ishin zbardhje të zërave të marra nga kasetat e regjistruara, ku bie në sy fakti, që Hoxha ishte gjithmonë i shoqëruar nga të tjerë dhe asnjëherë nuk ishte vetëm.
