E Shtunë, 31 Tetor 2026

Preshevë, banorët kërkojnë tejkalimin e krizës

Preshevë -Shqiptarët në Luginën e Preshevës kërkojnë tejkalimin e krizës qeverisëse në komunën e Preshevës, pas shpërbërjes së koalicionit.“Ne jemi të interesuar që sa më shpejt të formohet koalicion, apo si e mendojnë politikanët vendor, me qëllim që të çohen proceset përpara, dhe jo në këtë mënyrë të humbet kohë, sepse gjithmonë po ballafaqohemi me kriza të tilla duke ngelur në vend”, ka theksuar Arlindi, një student nga Presheva.

Banorët e Preshevës shfaqin shqetësime lidhur me prolongimin e çështjeve të tyre të përditshmërisë dhe mungesës së funksionimit të institucioneve komunale, pas shpërbërjes së koalicionit komunal mes Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) në këtë komunë.

Opinionet e banorëve të kësaj komune theksojnë se gjithnjë në kriza të tilla të imponuara përfiton Beogradi zyrtar, duke qenë se në këtë mënyrë sipas tyre, problemet hidhen në adresë të shqiptarëve para bashkësisë ndërkombëtare.
“Po kjo situatë shkon në favor të serbëve, sepse ata presin që të ketë kësisoj probleme midis nesh dhe ata janë më të rehatshëm për të mos realizuar kërkesat reale të shqiptarëve në këtë rajon”, theksojnë banorë të anketuar në Preshevë për agjencinë e lajmeve INA.

Autoritetet komunale janë në kaos dhe që nga shpërbërja e koalicionit institucionet në kuadër të komunës janë në krizë, për shkak të mungesës së funksionalitetit. PVD dhe PDSH pas zgjedhjeve të 11 majit të vitit të kaluar formuan koalicionin bashkëqeverisës, edhe pse më parë këto dy subjekte kishin rivalitete ekstreme.

Në zgjedhjet e fundit PVD e Riza Halimit fitoi 13 mandate këshilltarësh, PDSH 12 mandate këshilltarësh, BDL me 5 mandate, Grupimi Qytetar me 4 mandate, LKSH me 2 mandate, koalicioni serb me 2 mandate.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›