E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Lufta e UÇK-së, ishte e drejtë

Prishtinë -Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot ish-pjesëtarët e Batalionit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës “Atlantiku”, me rastin e 10 vjetorit të themelimit të batalionit. “Ardhja e batalionit “Atlantiku” nga SHBA-ja, e diasporës tonë, për të luftuar në Kosovë, ishte edhe mesazhi për botën demokratike, për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për Bashkimin Evropian, për NATO-n, për të gjithë, se shqiptarët nuk do të kursejnë asgjë, askush, për të luftuar, larguar Serbinë nga Kosova. Sot, Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, është i njohur nga 58 shtete, njohjet tjera po vijnë. Kosova është vend i suksesit të ri, i perspektivës për tu integruar në NATO dhe Bashkim Evropian”-theksoi Thaçi.

Kryeministri kosovar tha gjithashtu se, shqiptarët kanë arritur edhe suksesin tjetër, Shqipëria është në NATO dhe në periudhën kur ne zhvillonim luftë, në atë kohë, Kosova ishte e pushtuar.

“Serbia kryente gjenocid, në Kosovë, ne zhvillonim luftë për liri, ndërsa Shqipëria ishte në atë periudhë ishte në një kaos institucional. Pra, nëse kemi parasysh periudhën ku kemi qenë para dhjetë vitesh edhe si Kosovë, por edhe Shqipëria, mund të them se të arriturat janë të jashtëzakonshme. Prandaj, një meritë e madhe i takon edhe këtyre njerëzve me të cilët u takova sot”-vijoi ai.

Nga ana e tij, përfaqësuesi i Batalionit të UÇK-së “Atlantiku”, Skender Doçi, me këtë rast theksoi, se “E ndjejmë veten krenar që ndodhemi sot këtu dhe së bashku me ju, ne shijojmë rezultatet e mëdha që ka arrit Kosova gjatë këtyre dhjetë vjetëve të ndërtimit të vendit. Kemi dy gëzime: që arritëm ditën që ta shohim Kosovën të pavarur dhe të drejtuar me kompetencë dhe dinjitet nga ata që bënë luftën”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›