Presidenca Hungareze: Politika të mos pengojë integrimin

Këshilli i Ministrave të BE-së, diskuton për Shqipërinë Situata post zgjedhore dhe mosmarrëveshjet politike do të jenë ato që do të dominojnë diskutimet për Shqipërinë në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Europian që mbahet të hënën në Luksemburg. Pak ditë para kësaj mbledhje, ministri i Jashtëm i Hungarisë, vend që ka presidencën e radhës së Bashkimit Europian, Janos Martonyi nuk heziton të thotë se politika e Tiranës do të marrë vërejtje për pengesat që i janë krijuar procesit integrues të Shqipërisë dhe siç pohon ai do të ketë një ndikim edhe në raport-progresin e Komisionit Europian të 12 tetorit. Në këtë kuptim, ai bën thirrje që integrimi europian i vendit të qëndrojë mbi të gjitha interesat. “Unë mendoj se Shqipëria duhet të bëjë më shumë përpjekje që këto vështirësi të brendshme të kapërcehen. Dua të shpresoj se ky është edhe interesi i vendit. Pra, duhen më shumë përpjekje që këto vështirësi, tipike të brendshme, të zgjidhen dhe perspektiva europiane të qëndrojë mbi të gjitha interesat e tjera, qofshin ato partiake, qofshin ato personale. Ne do të diskutojmë për Shqipërinë në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave për Punët e Jashtme. Pra, do të ketë një mesazh për të në konkluzionet tona. Shpresoj që ky mesazh të kuptohet mirë nga të gjithë, në mënyrë që edhe Shqipëria të bëhet “nxënëse e mirë”. Por, në fakt nuk ka këtu nxënës të mirë e të këqij, por vende sovrane që vendosin vetë për fatin e tyre”- tha Martonyi. Takimi i tretë ndërparlamentar Shqipëri –Parlamenti Europian nuk ishte një sukses, pasi 12 kushtet për integrim nuk u plotësuan për shkak të situatës politike. Megjithatë, nuk munguan thirrjet ndaj politikës shqiptare për të kapërcyer mosmarrëveshjet, dhe konkretisht opozitës që t’i kthehet jetës parlamentare. Edhe në një mbledhje të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, ku u diskutua për zgjerimin me Ballkanin, përshirë edhe Shqipërinë. Në këtë takim, Kroacia u përcoll si një rast pozitiv dhe ndryshe nga Maqedonia, Kosova apo Bosnje-Hercegovina që pengohen nga shtete të veçanta në procesin e integrimit europian, Shqipëria u cilësua si vendi ku forcat e brendshme politike pengojnë shtetin e tyre.
...