E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhen zgjedhjet në Shkodër, në Kukës kreu del në balotazh

Rrethet Nuk mbyllen as dje votimet për krerët e degëve. Në Lushnjë ka pakënaqësi

Në Shkodër janë shtyrë votimet për kreun e PS-së së rrethit, në Kukës nuk ka rezultat, pasi kandidatët shkojnë në balotazh, kurse në Lushnjë ka pasur pakënaqësi të socialistëve “rishtarë” të ardhur nga radhët e LSI-së. Kjo ka qenë panorama kryesore e zgjedhjeve të brendshme të PS-së në disa rrethe.

Kukës

Zgjedhjet brenda PS për rrethin e Kukësit të zhvilluara dje paradite nuk nxorën ndonjë fitues, por shkojnë në balotazh për t’u zhvilluar një ditë tjetër. Më shumë se 100 delegatë nga organizatat socialiste të bazës kanë votuar një listë prej katër kandidatësh, e përkatësisht Ylber Duraku, Skënder Ahmeti, Binak Halili dhe Rozafat Sopi. Në përfundim të numërimit të votave të cilat kanë qenë të fshehta, del se asnjë prej tyre kandidatëve nuk ka fituar 50% + 1 të votave, por shkojnë në balotazh Skënder Ahmeti dhe Ylber Duraku. Zhvillimi i aktivitetit u ndoq nga afër nga i deleguari i qendrës i PS-së, deputeti Asllan Dogjani, i cili tha se votimet u zhvilluan pa probleme dhe se votimi tjetër i balotazhit do të zhvillohet një ditë tjetër. Lista e kandidatëve e dërguar në Kryesinë e Partisë Socialiste ka pasur gjithsej 12 kandidatë, ndërsa kjo kryesi miratoi katër prej tyre për të konkurruar për kryetar të partisë së rrethit. Një prej dy kandidatëve në balotazh, Skënder Ahmeti, mësimdhënës matematike, ka drejtuar degën e PS të rrethit në disa vite më parë dhe e synon këtë post për herë të dytë. Ndërsa kandidati tjetër, Ylber Duraku, ka shërbyer si shef Komisariati i Rrethit të Kukësit etj., dhe ka mbajtur gradën e Komisarit. Deputeti Dogjani ka ndjekur nga afër edhe zgjedhjet në rrethin e Hasit ku është votuar si kryetar partie i rrethit ekonomisti Halit Mula. Sot zhvillohen zgjedhjet e njëjta edhe në degën e PS-së së rrethit të Tropojës ku edhe atje do jetë Dogjani si i deleguar i qendrës.

Lushnjë

“Humbën” pushtetin duke u larguar nga LSI në prag të zgjedhjeve 2009, duke iu bashkuar partisë “mëmë”, por tashmë detyrohen të largohen edhe prej PS-së, duke bërë lëvizje tjetër e duke kaluar djathtas. është ky kërcënimi më i fundit i ardhur prej rreth 20 të larguarve nga radhët e LSI-së dega Lushnjë një vit më parë. Reagimi i tyre ka ardhur pas atmosferës shumë të qetë të pasqyruar së fundmi nga krerët e PS-së dhe përfaqësuesit e tyre pas shpalljes së kandidaturave zgjedhore brenda kësaj force politike. Të shqetësuar se shumë kontestime dhe reaksione të zhvilluara brenda PS-së në degën e Lushnjës janë munduar të fshihen dhe çdo mendim ndryshe “mbytet” me një pikë ujë, kanë vendosur të marrin një vendim jo të lehtë për ta, por të domosdoshëm për t’u dhënë një mësim përfaqësuesve të kësaj force politike.

Dibër

Kreu i socialistëve dibranë është zgjedhur Ulsi Manja, i cili ka marrë 103 vota, ndërsa në Mat më shumë vota ka fituar Myslim Zeneli me 63 vota të marra në Asamble. Në zgjedhjet për kryetar të PS-së për rrethin e Bulqizës, Artur Kala, ka marrë 57 vota, kundrejt 31 votave që ka marrë Shahin Kaja.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›