Presidenca e BE: Dialogu të vazhdohet vetëm në parlament

Pas pehlivanllëqeve që po kryejnë deputetët e Edi Ramës, ka reaguar Presidenca spanjolle e BE-së. Përmes ambasadorit Emmanuel Montobio, Bashkimi Evropian ka përsëritur se “ngërçi politik duhet të zgjidhet me dialog dhe se “vendi i dialogut është parlamenti”
Presidenca spanjolle e Bashkimit Evropian përshëndet vendimin e opozitës shqiptare për të thyer bojkotin. Kjo deklaratë është bërë përmes ambasadorit spanjoll në vendin tonë, Emmanuel Montobio, i cili e ka cilësuar tepër korrekt vendimin e PS-së për të hyrë në sallën e parlamentit, duke e konsideruar këtë si një hap tejet pozitiv edhe një ndër veprimet që po kërkoheshin nga ndërkombëtarët për të kapërcyer ngërçin politik, i cili kushtëzon interesat kombëtare të Shqipërisë.
Montobio cilësoi të rëndësishme bashkëpunimin në parlament, ndërsa shtoi se çdo zgjidhje duhet të vijë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e shtetit.
Ai vuri në dukje se BE ka inkurajuar vazhdimisht palët politike në Shqipëri, në mënyrë që rruga e integrimit të mos hasë në pengesa të panevojshme, çka do të hidhte poshtë progresin e deritanishëm.
“Bashkimi Europian ka bërë një deklaratë publike, në të cilën ka shprehur opinionin e vet, dhe ne konsiderojmë se situata politike në Shqipëri duhet të tejkalohet nga lidershipi politik shqiptar, dhe që veprime të caktuara duhet të ndërmerren që të mos ketë një ngërç politik që të kushtëzojë interesat kombëtare të Shqipërisë. Hapat e tjerë që Shqipëria duhet të hedhë dhe që Bashkimi Europian dëshiron që ajo të hedhë, duhet të jenë ato të avancimit drejt perspektivës europiane. Në këtë kuptim hapi i ndërmarrë është një prej veprimeve që ne po kërkonim, dhe përbën një fakt pozitiv të cilin e përshëndesim dhe e përgëzojmë, pasi në çdo moment kemi thënë se ngërçi politik duhet të zgjidhet përmes dialogut dhe se vendi i dialogut është parlamenti. Në këtë kontekst kjo na duket një gjë pozitive. Besoj që është pozitive sepse hap një dritare mundësish për zgjidhjen e krizës politike aktuale dhe në këtë kuptim, rezultati i diferencave politike duhet të jetë një marrëveshje”, u shpreh ambasadori Montobio.
Përfaqësuesi diplomatik i Madridit në Tiranë, deklaron më tej se do të ishte inkurajuese gjetja e një kompromisi mes palëve brenda në parlament, në përputhje me ligjet në fuqi dhe kushtetutën e vendit.
Opozita shqiptare theu të enjten bojkotin e Kuvendit, duke marrë pjesë për herë në parë në punimet e legjislaturës së XVIII, të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit. Ende nuk është e qartë, nëse opozita do vazhdojë të marrë pjesë në diskutimet parlamentare, për të gjallëruar në këtë moment edhe debatin politik dhe shqyrtimin e pretendimeve të saj, të cilat janë dorëzuar tashmë në Kuvend. Kryesocialisti Edi Rama, është shprehur se në rast të një përgjigje negative nga ana e mazhorancës për draftin ligjor të depozituar, ai nuk ka ndërmend të ndjekë punimet e Kuvendit. Por nga ana tjetër, garancia e mazhorancës për të qenë e gatshme në shqyrtimin e çdo pretendimi ligjor të opozitës, e zbeh vrullin e politikës së rrugës të Edi Ramës dhe ndjekësve të tij më të afërt si Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Ditzi Bushati, Olta Xhaçka apo edhe ndonjë tjetër simpatizant i përbotshëm i politikës së bojkotit, që përkthehet thjesht në dështim dhe pamundësi e theksuar e këtij krahu politik, për të qenë eficent në diskutimet e komplikuara parlamentare.