E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk mund të zhvillojmë zgjedhje të parakohshme për qejf të Edi Ramës

Flet Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta

Zëvendëskryeministri dhe njëherazi ministër i Punëve të Jashtme, Ilir Meta shprehet se vendi nuk ka kthim pas, siç kërkon opozita, për të ngërthyer destabilitet nëpërmjet insistimit për zgjedhje të parakohshme, apo edhe për hapje të kutive, të cilat siç theksoi kreu i LSI-së, janë çështje e gjykatave dhe jo e mazhorancës apo politikës në tërësi. Meta vlerësoi pozitivisht propozimin për t’ju drejtuar Komisionit të Venecias, si një institucion i pavarur, çka do të sillte një zgjidhje për situatën.
Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, kreu i diplomacisë shqiptare, mbrojti qëndrimin e mazhorancës, duke deklaruar se nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe se ato do të jenë zgjedhjet e 2013. Ministri i Jashtëm vlerësoi si pozitive futjen e opozitës në Parlament. Lidhur me kërkesat e opozitës, Meta tha se mazhoranca ka shprehur qëndrimin e saj për çdo pretendim ligjor të PS-së.
Për sa i takon liberalizimit të vizave, ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, vuri në dukje se me ritmet e punës së institucioneve, për përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit të Komisionit Evropian, qytetarët shqiptarë do përfitojnë shumë shpejt lëvizjen e lirë në hapësirën “Schengen”.

Cili është komenti juaj në lidhje me seancën e ditës së enjte dhe çfarë lëshimi mund të bëjë mazhoranca për PS-në që siç dihet tashmë, ka depozituar në Kryesinë e Kuvendit dy drafte për komisionin hetimor dhe për ngritjen e një komisioni të specifikuar për hapjen e kutive. A do të jetë e gatshme mazhoranca për të plotësuar kërkesat e opozitës?
Mazhoranca ka qenë gjithmonë e hapur për të realizuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, dhe jo vetëm kaq, por edhe për ti dhënë shumicën dhe kryesimin e këtij komisioni PS-së. Futja e deputetëve të PS-së në Kuvend brenda afatit kushtetues është një element shumë pozitiv dhe njëkohësisht besoj që edhe propozimet e tyre do të shqyrtohen sipas të gjitha procedurave të Parlamentit në mënyrë që ky komision hetimor parlamentar të ngrihet dhe të realizojë ato objektiva të cilat janë kërkuar, natyrisht, duke respektuar pavarësinë e gjykatave.

A jeni njohur me propozimet e bëra nga PS për funksionimin e këtij komisioni hetimor dhe së dyti, Rama ka deklaruar se pjesë e strategjisë së tij është çuarja e vendit në zgjedhje të parakohshme. Por, për të arritur këtë, PS-së i duhen normalisht 71 vota që PS nuk i ka. Sa afër apo larg këtij objektivi duket Edi Rama?
çështja e ndryshimit të Qeverisë apo të Kryeministrit është e pamundur për dy arsye: Së pari, sepse koalicioni është i qëndrueshëm dhe ka një mazhorancë solide. Së dyti: është dhjetë herë më i vështirë sesa ka qenë përpara dy-tre vitesh, kjo për shkak të ndryshimeve kushtetuese, kështu që zgjedhjet e reja janë vetëm në qershor të 2013-ës dhe të gjithë duhet të kenë durim dhe të përgatiten për këtë sfidë në kohën e duhur, sepse kush fillon para kohe lodhet më shpejt.

Momentalisht duket sikur jemi sërish aty ku jemi nisur, sepse PS-edhe pas futjes së saj në Parlament e ka bojkotuar atë dhe kërcënon sërish me protesta të fuqishme. Por, ndërkohë kemi një propozim nga kryetari i PSD, Gjinushi i cili thotë që vetëm një koalicion i madh PD-PS është çelësi i zgjidhjes së këtij ngërçi politik. Si e komentoni ju këtë propozim?
Ky shpjegim nga ana e Gjinushit shpjegon se këtu bëhet fjala thjesht për pushtet, pa asnjë lloj transparence apo për çështje standardesh. Sepse po të kishin qenë standardet më të mira në momentin kur u bë edhe Kodi Zgjedhor, Gjinushi do të ishte deputet sot. Por, e theksoj edhe një herë tjetër se Shqipëria është në një periudhë normaliteti që prej kalimit të momentit të saj delikat në vitin 1997. Zgjedhjet bëhen një herë në katër vjet, ndaj të gjithë duhet të kenë durim dhe të përgatiten për zgjedhjet e ardhshme në vitin 2013.

PS insiston se pa hapjen e kutive ajo nuk kthehet në parlament. Cila do të jetë rruga e kompromisit?
Në rast se Partia Socialiste ka deklaruar se deputetët e saj nuk do të kthehen më në Parlament pa u hapur kutitë, do të thotë se ata kanë ardhur në parlament vetëm se u digjeshin mandatet për shkak të afatit kushtetutës, gjë që tregon se PS nuk ka vullnetin për të ecur në rrugën e integrimit apo edhe në vetë rrugën e zgjidhjes së pretendimeve që ata kanë. është për të ardhur keq që po kundërshtojnë edhe institucione tepër të njohura ndërkombëtare që respektojnë ligjin dhe demokracinë sikurse është Komisioni i Venecias, i cili është një institucion shumë kredibël, të cilit i referohet i gjithë komuniteti ndërkombëtar dhe që ka ndihmuar Shqipërinë edhe në bërjen e Kushtetutës së vendit, si edhe kur ka pasur probleme me interpretime të ndryshme të legjislacionit. Megjithatë, unë shpresoj që ata të jenë konstruktivë, dhe të kenë paraqitur disa iniciativa që jam i bindur, do të merren në konsideratë. Besoj se ata do të marrin pjesë në Komisionin e Ligjeve dhe në komisionet e tjera ku këto çështje do të diskutohen dhe se do të japin argumentet e tyre, duke besuar se kjo është një çështje shumë thelbësore dhe afatgjatë për vetë ecurinë e institucioneve demokratike në vend. Gjithashtu mendoj se kjo do ti shërbejë edhe integritetit dhe seriozitetit të vetë opozitës.

Në këtë pikë që kemi arritur asnjë palë nuk lëshon nga qëndrimet e veta. Sipas jush, nga mund të vijë kjo zgjidhje, nga tryeza e Presidentit që deri tani duket sikur nuk ka ndryshuar gjë, apo nga faktori ndërkombëtar?
Sipas mendimit tim, të gjithë ata që mendojnë që të dy palët reflektojnë njëra-tjetrën, bëjnë një gabim të madh sepse mazhoranca, sikurse ju të gjithë e dini, që kur është miratuar rezoluta parlamentare e Këshillit të Evropës, e vlerësoi atë, e pranoi, pavarësisht nga ndonjë vërejtje apo pretendim që ajo mund të kishte për formulime të caktuara dhe u angazhua për ta zbatuar plotësisht. Ndërkohë që pala tjetër, ka insistuar vetëm në një pikë të vetme. Së dyti, ju e dini shumë mirë që Presidenti, pas kësaj rezolute ndërmori nismën e tij, dhe përsëri mazhoranca u tregua shumë e hapur. Duke shprehur mbështetjen për Presidentin, mazhoranca i dha atij edhe mbështetjen e hapur për të eksploruar të gjitha pretendimet e opozitës që nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me mazhorancën, por që kanë të bëjnë me problemin e gjykatave dhe me çështje të cilat janë gjykuar në të kaluarën. Presidenti mund të eksplorojë të gjitha hapësirat dhe mundësitë për të parë se sa kushtetuese është dhe se sa e respekton vendimin e gjykatave kjo kërkesë e opozitës. Pra, mazhoranca ka investuar besimin e saj tek një institucion i pavarur sikurse është Presidenti i Republikës, ndërkohë që pala tjetër ka thënë që ne kemi vetëm këtë kusht dhe asgjë tjetër. Njëkohësisht, nuk ka qenë propozimi i mazhorancës për të marrë mendimin e Komisionit të Venecias, por ka qenë një propozim i ndërkombëtarëve të cilët kanë dashur të ndihmojnë për një gjykim më të paanshëm, edhe në këtë pikë mazhoranca është treguar sërish e hapur. Për aq kohë sa ne i kemi marrë edhe herë tjetër mendim Komisionit të Venecias gjatë gjithë këtyre viteve të demokracisë dhe të tranzicionit tonë, nuk kemi përse mos t’ia marrim edhe tani. Ndërkohë që ju përballeni me një retorikë të panevojshme kundër Komisionit të Venecias, sepse të thuash që ne mirëpresim propozimin e ndërkombëtarëve dhe kontributin e tyre konkret që mund të japin për zgjidhjen e krizës, dhe në të njëjtën kohë të mos pranosh mendimin e Komisionit të Venecias, do të thotë që të jesh kontradiktor dhe jo i sinqertë për të gjetur një zgjidhje sa më demokratike dhe sa më institucionale dhe sa më kushtetuese për këtë situatë.

Si kreu i diplomacisë shqiptare, a mendoni se ka një pikë për të cilën PS duhet të tërhiqet apo edhe vetë mazhoranca të bëjë një lëshim për çështjen e liberalizimit të vizave dhe së dyti, a mendoni se fakti që Edi Rama nuk është në Parlament, çështja e dialogut politik me PS-në bëhet edhe më e vështirë?
Nëse më lejoni, unë do e thjeshtoja pyetjen tuaj duke thënë se përse mazhoranca të mos e shkelë kushtetutën dhe pavarësinë e gjykatave pa marrë garancinë edhe nga institucionet e rëndësishme siç është Gjykata Kushtetuese apo Komisioni i Venecias sepse një veprim i tillë nuk do të shkelte Kushtetutën apo edhe pavarësinë e gjykatave, thjesht për të kaluar një moment të tillë? Unë mund të them se nuk mund të krijohet një precedent destabilizues i cili, praktikisht rrënon parimin kryesor të Kushtetutës sonë që është ai i balancës midis pushteteve dhe që në thelb të tij ka pavarësinë e gjykatave. Ky precedent do të kishte pasoja shumë afatgjata. Në rast se Shqipëria është sot këtu ku është, me këto vështirësi që ka, por që është edhe anëtare e NATO-s dhe me një stad të ri të marrëdhënieve me BE-në, kjo ka ndodhur dhe ndodh pikërisht sepse Shqipëria ka një Kushtetutë gjatë këtyre 12 viteve të fundit, e cila ka vendosur disa ekuilibra midis pushteteve të ndryshme. çdo lloj ndërmarrje për interesa afatshkurtra për të krijuar një krizë që është krejtësisht artificiale, duke hedhur themelet e një krize afatgjatë e cila mund ta bënte Kushtetutën një dokument krejtësisht të pavlerë dhe që mund të minonte kredibilitetin dhe pavarësinë e gjykatave, absolutisht që do të ishte e papranueshme dhe me pasoja afatgjata. Unë mendoj që do të jetë edhe në interes të opozitës të mos kërkojë në gjë të tillë sepse kjo do të rezultonte në nënshtrimin politik të gjykatave. Sidoqoftë, mazhoranca është e hapur për të vlerësuar edhe qëndrimet e atyre institucioneve që nuk reshtin duke na rekomanduar për mënyrën se si mund të zgjidhet kriza. Ndërsa Edi Rama ka bërë një zgjedhje të tij për të mos qenë sot deputet dhe kjo është çështje e tij dhe e partisë së tij. Por është e papranueshme që për shkak atë kësaj zgjedhjeje, ai kërkon ta zhvendosë debatin nga Parlamenti, në vende të tjera jashtë tij. Dua të bëj një paralelizëm që u përmend edhe nga një kolegu juaj gjatë një emisioni televiziv. PS, para disa vitesh, kur kryetari i saj, Nano ishte i burgosur, dhe këtu, edhe pse sot jam në koalicion me z. Berisha, i qëndroj bindjes sime se ajo ishte një burgosje politike, ajo Parti Socialiste luftën e bënte në Parlament. Ndërsa sot, Edi Rama pretendon që këtë debat politik ta zhvillojë jashtë foltores së Parlamentit, edhe pse jemi shumë vite larg periudhës kur PS kishte kryetarin e saj të burgosur.

Rama dje ka kërkuar ndërhyrjen e ndërkombëtarëve për të mos lejuar thellimin e krizës duke paralajmëruar njëkohësisht një valë të madhe protestash në vend. Si e shihni rolin e ndërkombëtarëve në situatën e brendshme politike në vend dhe a po lexohet qartë ajo nga pala tjetër?
Mendoj se ndërkombëtarët janë shumë të qartë pasi kemi disa rezoluta që janë dokumente tashmë; që nga rezoluta e Parlamentit Evropian, apo ajo e Asamblesë Kombëtare të Këshillit të Evropës. Pra, kemi disa qëndrime të qarta për t’i dhënë fund bojkotit dhe njëkohësisht, për të ecur në rrugën jo vetëm të pjesëmarrjes së socialistëve në Parlament, por edhe të krijimit të këtij komisioni hetimor parlamentar, natyrisht, duke respektuar Kushtetutën dhe pavarësinë e gjykatave. Ndaj, duhet që edhe të tjerët të dëgjojnë mjaft qartë propozimet e ardhura nga ndërkombëtarët.

Para dhjetë vjetësh, kur ju ishit Kryeministër, politika e atëhershme u përball me fenomenin e “Dushkut”, ndërsa sot po përballet me fenomenin e ri të “Ruzhdijes”. A mund të hiqni një paralel midis këtyre dy fenomeneve edhe pse nuk janë raste krejtësisht të njëjta pasi, për sa i përket fenomenit të mëparshëm, ky lidhej me kodin zgjedhor dhe me procesin e numërimit të votave dhe a mund të thoni që politika shqiptare e sotme ka ndryshuar nga ajo e mëparshmja, duke marrë si element krahasues këto dy zona?
Dushku ishte një fenomen i cili nuk ishte parashikuar për tu ndaluar me ligj. Natyrisht që ky fenomen dëmtoi legjitimitetin e përmasave të mazhorancës dhe nga komuniteti ndërkombëtar pati një rezolutë që Qeveria ishte e ligjshme. Por mazhoranca për të zgjedhur presidentin me 84 vota, nuk ishte legjitime. Dhe kjo gjë u respektua dhe u mor në konsideratë në atë kohë. Ndërsa për sa i përket kutisë së “Ruzhdijes”, mua më duket një histori fare absurde dhe qesharake, aq më tepër kur kjo kthehet edhe në një çështje basti, sepse këtu jemi duke folur për gjëra më shumë serioze. Qoftë pretendimi i Berishës apo i Ramës se çfarë përfaqëson kjo kuti dhe ky rezultat, të gjitha këto për mua janë nul, sepse gjykata ka marrë vendimin e duhur dhe ka treguar që ka integritet.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›