E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fini dhe Berluskoni divorcohen politikisht



Presidenti i Dhomës Përfaqësuese në Itali, Gianfranco Fini dhe Kryeministri Silvio Berluksoni, e kryen më në fund divorcin politik, pas shumë polemikash e këndvështrimesh të ndryshme të dy themeluesve të parë të PDL-së. Berluskoni vendosi ta nxjerrë jashtë partisë Finin dhe ka kërkuar edhe dorëheqjen e tij nga Presidenca e Dhomës së Ulët të Parlamentit. Fini ka shkruar një deklaratë një faqe e gjysmë, ku pohon divorcin me Berluskonin, me atë President Këshilli (Kryeministër), që ka “një logjikë biznesi” dhe ngatërron “garancinë dhe jondëshkimin”. Fini ka diskutuar dje me mediat dy pika të nxehta, të cilat e acarojnë Berluskonin. Ai ka kërkuar që Fini të lërë postin e Presidentit të Dhomës, gjë që nuk do të ndodhë. “Nuk do të ndodhë”, ka deklaruar shkurt Fini. Që dje, Qeveria italiane u përball edhe me një grup të ri në Parlament, finianët, të cilët e emëruan “E ardhme dhe Liri”. Në Dhomën përfaqësuese, besnikët e Finit janë 33, në Senat 14. Janë mjaftueshëm për kokëçarje të reja për Qeverinë e Berlsukonit, sa herë të diskutohen çështje të nxehta në Parlament. Vendimi ka qenë shumë i shpejtë. Duke komentuar largimin e Finit, zyra e Berluskonit tha se “pozicionet e të nderurit Fini janë plotësisht të papërputhshme me principet e inspiruara nga Populli i Lirisë (PDL). “Dje u shkruajt një faqe e keqe për qendrën e djathtë italiane apo më në përgjithësi për politikën italiane. Brenda dy orëve, pa pasur mundësinë të shpreh arsyet e mia, u përjashtova nga partia që kam kontribuuar të krijohet”, tha Fini.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›