Plaku: Tirana s’më paguante, në Vlorë fitoj titullin
Nuk ka më dilema, Sebino Plaku është zyrtarisht lojtar i Flamurtarit. Transferimi i tij te kuqezinjtë ka marrë formën e prerë vetëm dje, kur sulmuesi i është bashkuar vlonjatëve në Ohër.
25-vjeçari ka firmosur për një sezon me klubin kuqezi, teksa mendohet se do të përfitojë mbi 70 mijë euro. Prej kohësh ai e kishte shprehur hapur dëshirën për të vazhduar karrierën te Flamurtari, teksa vlonjatët arritën të bindnin, duke i ofruar një kontratë të majme, e cila nuk mund të refuzohej. Plaku do të formojë dyshen e sulmit me Daniel Xhafajn, duke plotësuar në një farë mënyre edhe kërkesën e trajnerit Gugash Magani. Ndërkohë, blerja e re e kuqezinjve tregon në një intervistë për “Panorama Sport” edhe prapaskenat e kalimit të tij në Vlorë.
Sebino, tashmë mund t’iu quajmë zyrtarisht pjesë e vlonjatëve?
Po, sigurisht. Unë sot (dje) vendosa zyrtarisht që të jem pjesë e Flamurtarit për sezonin e ri. Do të filloj stërvitjen me këtë ekip, ndërkohë që kemi rënë dakord me klubin për kontratën. Firma është vetëm një formalitet mes palëve. Ndihemi lumtur që jam këtu, sepse emri i Flamurtarit s’ka nevojë për reklamë. Dihet që klubi im i ri është një skuadër elitare, në të cilin të gjithë futbollistët shqiptarë do ta kishin për nder të aktivizoheshin.
Mund ta dimë se cilat ishin arsyet më të forta që ju e kërkonit me ngulm largimin nga Tirana?
Së pari, tek Tirana nuk u treguan aspak korekt me mua, ashtu siç u solla unë me klubin. Dëshira e drejtuesve dhe në veçanti e trajnerit Sulejman Starova, për të cilin kam një respekt të madh, ishte që unë të qëndroja. Gjithsesi, në fund negociatave nuk e gjetëm dot gjuhën e përbashkët, për më tepër që unë prej muajsh nuk po paguhesha. Duke parë që oferta e Flamurtarit ishte tepër joshëse, me sinqeritet nuk mund të mendohesha dy herë.
çfarë ju ka mbetur peng nga aktivizimi juaj te bardheblutë?
Për periudhën që unë kalova me Tiranën, e vetmja gjë do të më mbetet “peng” janë tifozët bardheblu, të cilët më kanë mbështetur gjithmonë. S’me mbetet gjë tjetër, veçse t’i falënderoj ata.
Tashmë te Flamurtari do të gjeni lojtarë si Devolli dhe Xhafaj. Mendoni se me këtë klub mund të arrini suksese në sezonin e ri?
Normalisht tek Flamurtari erdha për të fituar trofe. Për mua është një skuadër e madhe dhe që t’i mundëson sukseset. I kam vendosur qëllim vetes të arrij maksimumin këtu. E di që do të jetë e vështirë, por në futboll gjithçka mund të arrihet. Natyrisht që tifozët vlonajt dhe drejtuesit presin shumë nga mua. Shpresoj që bashkë me Xhafën në sulm të shënoj shumë gola.