Rusi, zjarret nga temperaturat e larta vrasin 25 persona
Zjarret në Rusi kanë vrarë më shumë se 25 persona, ndërsa thatësirat dhe temperaturat e larta kanë arritur nivele rekord dhe e kanë detyruar Qeverinë të deklarojë gjendje të jashtëzakonshme në 27 rajone. Zjarret kanë shkatërruar 1,170 shtëpi dhe kanë lënë mbi 2 mijë të pastrehë. Thatësirat kanë shkatërruar plantacionet në mbi 10.3 milionë hektarë. Moska ka shënuar temperatura rekord për të dytën herë këtë javë, ku në Rusi arritën 37.8 gradë celsius, më të nxehtat që kur nisën regjistrimet, 130 vite më parë. Kryeministri Vladimir Putin, në një udhëtim në rajonet e goditura, tha se njerëzit që kanë humbur shtëpitë e tyre nga zjarret do të marrin 200,000 rubla (6,610 dollarë) si kompensim, shpenzime të cilat do të ndahen mes qeverisë federale dhe rajonale.
Pakistan, përmbytjet e rrëshqitjet e dheut vrasin 400 persona
Për shkak të motit të keq, i cili këto ditë ka goditur Pakistanin, në provincën Khyber Pakhtoonkhva, të paktën 400 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë konsiderohen të humbur. Shirat e rrëmbyeshëm kanë nxjerrë lumenjtë nga shtrati. Qindra mijëra persona kanë braktisur shtëpitë e tyre të mbushura me ujë. Shumë të tjerë kanë mbetur të bllokuar brenda fshatrave. Rreth 200 punëtorë kinezë kanë mbetur të bllokuar nga shirat. Disa fshatra nuk kanë rrugë tokësore nga ku njerëzit mund të lëvizin. Zonat e goditura janë Kabal, Matta, Bari Kot, Charbagh, Khvaza Khela, Behrin e Babuzai, Svat dhe Shangla.
Admirali Mullen: Wikileaks rrezikon jetën e ushtarëve
Ushtarakët e lartë amerikanë akuzuan themeluesin e Wikileaks, faqes së internetit qw ka 92 mijë dosjet sekrete të luftës në Afganistan, se me veprimin e tij ka vënë në rrezik jetën e qindra ushtarëve dhe familjeve afgane. “Zoti Julian Asange mund të deklarojë çdo gjë, shërbimin që ai dhe stafi i tij mendojnë se po bëjnë, por e vërteta është se ata kanë vwnw në rrezik jetën e qindra ushtarëve dhe familjeve afgane”, deklaroi admirali, Majk Mullen, në një konferencë për shtyp. Në një fjalim të mëparshëm, Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts foli për impaktin e publikimit të dosjeve sekrete në luftën e SHBA-së dhe Aleatëve ndaj terrorizmit në Afganistan.
Kriza ekonomike, Greqia mbyll konsullatat
Kriza ekonomike e ka detyruar Qeverinë greke që të kursejë edhe në pikat diplomatike jashtë vendit, duke mbyllur konsullatat në shumë vende të Europës. Mbyllja e tyre do të nisë në muajin gusht dhe procesi pritet të përfundojë në shtator. Masat që mori Qeveria për konsullatat pasuan Bullgarinë, e cila vetëm disa ditë më parë mbylli 300 konsullata të saj në vende të ndryshme të botës, një ndërprerje e cila pritet të zgjasë në një periudhë dy- vjeçare. Shërbimet e Greqisë në botë tashmë do të ofrohen vetëm në ambasada.