Presidenca e BE i kërkon opozitës të ndalë bojkotin e të kthehet në parlament

Me një deklaratë zyrtare, presidenca suedeze e BE-së i ka konfirmuar dje Shqipërisë perspektivën e qartë të anëtarësimit në union, ndërkohë që i ka kërkuar opozitës të zërë vendet e saj në parlament, duke e konsideruar dialogun parlamentar si një element kyç të demokracisë
Në emër të Bashkimit Evropian, presidenca suedeze ka publikuar mbrëmë një deklaratë zyrtare, ku përshëndet progresin e regjistruar nga Shqipëria në zgjedhjet e 28 qershorit, dhe i ka bërë thirrje opozitës shqiptare që të marrë vendet e veta në Kuvend. Duke u ndalur tek momentet e veçuara edhe në raportin e OSBE/ODIHR-it, presidenca e BE-së ka theksuar se dialogu parlamentar mbetet një element kyç i demokracisë. Brukseli ka nxitur të gjitha palët që të punojnë bashkërisht për të përmirësuar ato mangësi që u shfaqën në zgjedhjet e shkuara, ndërkohë që i ka konfirmuar Shqipërisë edhe perspektivën e qartë të integrimit me të drejta të plota në Union.
Ja edhe Deklarata e plotë e presidencës suedeze, në emër të Bashkimit Evropian për zgjedhjet në Republikën e Shqipërisë/Bashkimi Evropian u njoh me raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, të nxjerrë nga Misioni i Vëzhgimit të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 28 qershor në Shqipëri dhe mirëpriti vlerësimin se zgjedhjet i përmbushën shumicën e rekomandimeve të OSBE-së, edhe pse nuk u arrit përmbushja e standardeve më të larta për zgjedhje demokratike. Raporti thekson se zgjedhjet demonstruan një përparim të dukshëm, në veçanti me lidhje me regjistrimin e votuesve dhe procesin e identifikimit, kuadrit ligjor, votimit, numërimit dhe gjykimin e kontesteve zgjedhore. Ai vuri në dukje gjithashtu politizimin e disa aspekteve teknike të procesit, duke përfshirë edhe numërimin e votave dhe nxjerrjen e rezultatit. BE inkurajon procesin e ekzaminimit dhe të nxjerrjes së mësimeve nga mangësitë e shfaqura dhe i nxit të gjitha palët e përfshira të angazhohen në përmirësimin e tyre. BE inkurajon të gjitha partitë politike në Shqipëri që të ndjekin një dialog politik konstruktiv. Në veçanti, mbajtja e një dialogu të përhershëm në parlament mbetet një element kyç i demokracisë. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një kërkesë e domosdoshme për të përmbushur kriteret e BE-së për anëtarësim. BE-ja është e angazhuar të vazhdojë t’i sigurojë mbështetje Shqipërisë në këtë proces të rëndësishëm, duke e ndihmuar atë për të ecur përpara drejt integrimit evropian.
Edhe Ambasada e SHBA-ve në Tiranë vlerësoi raportin e OSBE/ODIHR/Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësuan dje raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR, mbi zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Përmes një njoftimi për mediat, Ambasada Amerikane në Tiranë deklaron - duke iu referuar raportit - se zgjedhjet e 28 qershorit shënuan përmirësime në krahasim me zgjedhjet e kaluara. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë me kënaqësi publikimin më 14 shtator nga Zyra për Institucione Demokratike dhe Të Drejtat e Njeriut (ODIHR) të OSBE-së të raportit përfundimtar mbi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri. Mirëpresim përmirësimet e bëra në krahasim me zgjedhjet e kaluara të përshkruara në raport, siç është kuadri i përmirësuar ligjor dhe procesi i regjistrimit të votuesve. Këto fusha shënuan përmirësim të prekshëm në krahasim me zgjedhjet e kaluara”, deklaron Ambasada e SHBA-ve në Tiranë. Përsa u takon problemeve teknike që u identifikuan edhe në raport, Ambasada e SHBA-ve shprehet se do të nxisë qeverinë dhe faktorët politikë në vend, që ta shfrytëzojnë këtë raport, për të mbyllur përgjithmonë edhe këto elementë që kanë nevojë për përmirësim. “Raporti i ODIHR gjithashtu identifikoi mangësi. U shënuan probleme lidhur me numërimin dhe regjistrimin e votave, si edhe me anshmërinë e medias për partitë kryesore politike. Po ashtu, ODIHR nxjerr në pah veprime dhe presione problematike nga partitë politike dhe qeveria gjatë fushatës elektorale. Nxisim qeverinë shqiptare dhe të gjitha partitë politike shqiptare që ta shfrytëzojnë këtë raport dhe rekomandimet e tij për të përmirësuar zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për të punuar me qeverinë shqiptare, OSBE-në dhe Bashkimin Europian për t’u marrë me fushat e shënuara për përmirësim”, thuhet më tej një njoftimin e Ambasadaës së SHBA-ve në Tiranë.
Kërkesa e Shqipërisë për statusin kandidat, në axhendën e mbledhjes së KE-së në tetor/Komisioni Evropian pritet të shqyrtojë kërkesën e Shqipërisë për statusin kandidat në BE, gjatë takimit të radhës në muajin tetor. Burime të sigurta nga Brukseli, bëjnë të ditur se kjo çështje do të futet në axhendën e BE në muajin e ardhshëm. Ministrja suedeze për Çështjet Evropiane, Cecila Mallmstrom u shpreh se kërkesa e Shqipërisë do të jetë pjesë e axhendës në kohë rekord. “Do ta fusim në axhendë sa më shpejt të jetë e mundur, besoj në tetor”. Sapo morën udhëheqjen e unionit në muajin korrik të këtij viti, suedezët premtuan fillimisht se shqyrtimi i aplikimit të Shqipërisë pritet të kalojë shpejt, pasi bëhet fjalë vetëm për një çështje teknike. Edhe në këshillin e fundit të ministrave, para pushimeve të verës, ministri i Jashtëm, Karl Bildt pati deklaruar se BE pret vetëm përfundimin e procesit zgjedhor dhe raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, raport që faktikisht u publikua pak orë para nisjes të hënën pasdite të këshillit të ministrave. “Natyrisht që ne duhet të studiojmë imtësisht raportin e të diskutojmë me vendet anëtare. Por ne kemi për synim që ta përfshijmë në axhendë. Ky ishte sinjali i qartë që Këshilli i Ministrave dha në korrik e shpresoj të arrihet, nëse jo shqyrtimi do të bëhet sa më shpejt”, theksoi Mallmstrom. Raporti i OSBE/ODIHR, për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri, i cili i vlerësoi ato si më të arrirat dhe duke evidentuar progres të prekshëm në të gjithë elementët e mbarëvajtjes së procesit, forcon në thelb perspektivën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Pas raportit të publikuar nga OSBE/ODIHR, Bashkimi Evropian u shpreh se Shqipëria është tani në një pozicion më të favorshëm për të ecur përpara me proceset e integrimit evropian. “Shqipëria është në një pozitë më të mirë pas raportit të OSBE-ODIHR-it mbi zgjedhjet”, u shpreh dy ditë më parë Ministri i Jashtëm suedez Karl Bildt. Po kështu në të njëjtin mendim është edhe Komisioneri i Zgjerimit të Komisionit Evropian, Olli Rehn, i cili vuri në dukje se “Shqipëria tani ka një shans më të mirë të përparuar në proceset e saj evropiane”.
Shqipëria e paraqiti aplikimin e saj për kandidaturën e BE-së në prill. Ndërkohë BE-ja është shprehur gjithmonë se ajo do të merrej vetëm pas raportit të vëzhguesve të zgjedhjeve, duke shtuar se kryerja e zgjedhjeve do të ketë një ndikim të rëndësishëm në Bruksel ku do të vendoset edhe për vizat. Sipas burimeve në Bruksel, në tetor BE-ja pritet të sigurojë një mandat për t’u zhvilluar nga Komisioni Evropian një analizë më të thellë nëse Shqipëria ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për një vend kandidat të BE-së