E Diel, 1 Nëntor 2026

Rifilloi numërimi mbrapsht, edhe 1460 ditë, mos harroni!

Sot qeveria e re ka ditën e parë zyrtare të punës. Dita e parë e punës së saj, korrespondon edhe me “countdoën”-in e 1460-ditëshit të dytë qeverisës.
Numërimi mbrapsht, “countdoën”-i, u fut si terminologji e re në fjalorin politik në ditët e fushatës elektorale nga ana e opozitës. Nën moton “mos harroni”, opozita, numëronte ditët që i kishin ngelur qeverisë deri në 28 qershor 2009, datën e zgjedhjeve. Kjo ishte e vetmja gjë e mirë që opozita nuk bëri gabim gjatë fushatës elektorale. Falë kësaj përvoje “të konsoliduar”, që nga sot, ajo ka sërish të drejtën e saj të rifilloj numërimin mbrapsht të ditëve të qeverisjes, duke filluar këtë “countdoën” nga numri 1460 (365 ditë/viti x 4 vjet = 1460 ditë).
Nga sot, opozita ka gjithë të drejtën e saj që me këtë “countdoën”, njëherazi, për çdo ditë që në mënyrë progresive i zbritet numrit 1460, të analizojë e të korrigjojë gjithçka ajo bëri gabim në katër vitet e kaluara opozitare, përveç numërimit mbrapsht.
Nuk ka se si të ndodhë ndryshe.
Për deri sa postulati i vjetër “fituesi nuk gjykohet” ka edhe anën tjetër të tij, atë që “humbësi duhet të gjykohet”, nuk ka më asnjë dyshim që tashëm humbësi i zgjedhjeve dihet. Ai është Edi Rama, drejtuesi i PS-së dhe opozitës.
Në këtë “gjykim të humbësit”, për më tepër në këtë status të njëjtë në këtë fillim të mandatit të ri të opozitës, gjëja kryesore që duhet të bëjë kjo opozitë nga sot e në përfundim të 1460-ditëshit qeverisës, është as më shumë e as më pak, të “bëjë politikë”.
Katër vitet e shkuara vetëm politikë nuk prodhoi kjo opozitë...
Në respekt të kronologjisë së ngjarjeve, aktiviteti “jopolitik” i opozitës filloi pas 3 korrikut 2005 me problemet brenda saj, kryesisht me problemet brenda PS-së.
Në përfundim të konsumimit të kësaj pjese “jopolitike”, erdhën zgjedhjet lokale të vitit 2007.
Argumente politike të opozitës, ia lanë vendin pehlivanllëqeve të kreut të ri të PS-së, Edi Rama, i cili kishte frikë të hynte në zgjedhjet lokale. Shtyrja e datës së parë të zgjedhjeve, 20 janar 2007 të dekretuara nga ish-Presidenti, i kaloi kufijtë e proverbiales, kur Edi Rama po rrezikonte të mos hynte në zgjedhje, as në datën tjetër, në 18 shkrut 2007. Pretekstet e tij, dhe bojkoti ndaj datës së zgjedhjeve, nuk dihej sa do të vazhdonte, në qoftë se një takim i sh-kreut të PS-së, me kreun e PD-së, nuk do të kërcënonte kundërshtuesin e hyrjes në zgjedhje që të defaktorizohej.
Zgjedhjet lokale të 18 shkurtit 2007 u zhvilluan dhe mazhoranca e 3 korrikut 2005 u rikonfirmua si fituese. Kjo gjë nuk i pëlqeu Edi Ramës, i cili në këto zgjedhje mori edhe mesazhin paralajmërues për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009.
Por, për të përmbysur paralajmërimin e këtij mesazhi, Edi Rama bëri zgjedhjen e gabuar, sërish u përqendrua te të mos bërit politikë, por te shpifjet e trillimet mediatike.
Shkurt, Edi Rama e vari shpresën për një fitore të mundshme, te dizinformimi mediatik.
Për këtë, shfrytëzoi vullnetin e disa mediave, që të sajonin e amplifikonin “skandale” me “rrugën Durrës-Kukës”, “Damir Fazlliç”, “aksidentin e Kosta Trebickës”, apo edhe “dosjen Gërdeci”.
Në këtë pjesë të opozitarizmit “jopolitik”,  u vendosën standarde të reja, jo vetëm për mënyrën e të (mos)bërit politikë, por edhe mënyrën e funksionimit të mediave. Media të pretenduara si të pavarura, për një periudhë gati 2-vjeçare, i mbushnin faqet e tyre, si me komandë dhe në mënyrë më harmonike, herë me vjellje vreri për dosjen e “rrugës Durrës-Kukës”, herë duke sajuar gjëra të paqena për dosjen “Damir Fazlliç”, herë duke bërë hero një mashtrues të qeverisë amerikane i njohur dhe i arshivuar tashëm në dosjen e “aksidentit të Kosta Trebickës”, apo edhe duke ngatërruar kohën dhe ngjarjet me “dosjen Gërdeci”.
Standardi i ri, jo vetëm si pjesë e deformimit të misionit të mediave, kishte të bënte edhe me anën tjetër, atë, se si ditën që gazetat mbushnin faqet e tyre me titujt desinformues, delte para kamerave, herë Erjon Braçe, herë Taulant Balla, herë Erjon Veliaj dhe regjistronin të vetmet momente të të bërit politik nga ana e opozitës.... Dhe ky moment i të bërit politikë, nuk ishte as më shumë e as më pak, se sa leximi i titujve e paragrafëve të shkëputur të të njëjtave gazeta, për të njëjtin informacion që pretendonin se servirnin “ekskluzivisht”.
Pra e gjithë “të bërit politikë” nga ana e opozitës, nuk e kapërcente nivelin e leximit të gazetave..., këtë herë si pjesë të një standardi të ri, para kamerave.
Por, këtu Edi Rama u gënjye dhe e hëngri.
Nuk ka faj, sepse kishte besuar se drejtues gazetash që i binin gjoksit se kishin sjellë në pushtet PD-në dhe Sali Berishën në 3 korrik 2005, do të mund të sillnin edhe Edi Ramën, sepse tashmë këta drejtues mediash e shihnin si armik Sali Berishën.
Kjo gjë rezultoi aq e pavërtetë, saqë në rast se kjo gjë, që një gazetë të largonte nga pushtetit dikë dhe të sillte dikë tjetër, do të ishte e mundshme, atëherë, minimalisht sot të paktën do të kishim në Parlament, bie fjala një deputet të “Poli i Lirisë”, ndërsa më e shumta do të kishim PS-në në pushtet. Është fakt, nuk ndodhi as njëra as tjetra, pra edhe “Poli i Lirisë”, nuk përfaqësohet me ndonjë deputet të mundshëm, por edhe PS-ja nuk rezulton fituese, me gjithë “diversionet” në nivelin ordiner të ndonjë gazete...
Ata drejtues gazetash, tashmë, të paktën nga 28 qershori 2009 besohet se e kanë kuptuar se për deri sa nuk ishin ato që mund të vendosnin qoftë edhe për ndonjë deputet të mundshëm për “Polin e Lirisë”, nuk janë ato që mund të kenë vendosur për fatin e rokadës së pushtetit në 3 korrik 2005, apo të asaj që nuk ndodhi në 28 qershor 2009.
Problemi është, a e ka kuptuar këtë Edi Rama.
Në qafë pastë veten, në qoftë se ende beson për dosjet e “rrugës Durrës-Kukës”, “Damir Fazlliç”, “aksidentit të Kosta Trebickës”, apo edhe të “dosjes Gërdeci”, ato që vetë i nxiste të nxinin faqet e gazetave. Ka ardhur koha, që Edi Rama të lexojë e kuptojë vendimet e gjykatave, të cilat si përgjegjësi ligjore certifikuan edhe dështimin edhe të Prokurorisë dhe të filloj të prodhojë politik. Për sa i përket përgjegjësive morale dhe politike, të supozuara, mjafton leximi i votave të 28 qershorit 2008 (qoftë edhe e votave të Gërdecit), për të kuptuar se ato tashmë nuk ekzistojnë.
Gjasat janë që, fillimi i ngjashëm i mandatit të ri opozitar me konflikte brenda PS-së  (sikurse edhe katër vjet më parë), apo edhe bojkoti i parlamentit (sikurse bojkoti i zgjedhjeve lokale të vitit 2007), të parathonë që ende Edi Rama mos të ngrihet në nivelin e të bërit politik, por thjesht të gjejë ata apo të tjerë Erjonër, për të lexuar shtypin e përditshëm dhe vetë të numërojë edhe 1460 ditë..., edhe 1459 ditë..., edhe..., edhe...
Edhe të paktën 4 vjet...
... Mos harroni...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›