Gjashtë të vdekur nga të shtënat në azil
Gjashtë persona kanë humbur jetën pas një ngjarjeje të rëndë në një azil në Karolinën e Veriut. Një njeri i armatosur hyri në azil dhe nisi të qëllojë kundër njerëzve, duke lënë edhe të plagosur mes tyre në Carthage, mëngjesin e djeshëm (në orën 10:00 me orën lokale). Ai ka hyrë në qendrën azil “Pinelake Health and Rehab Center”, ka deklaruar policia e Karolinës së Veriut. Personi që ka qëlluar përshkruhet si një i ri, i cili nuk ishte pacient në këtë qendër dhe ai është mes njerëzve të plagosur. Mes të plagosurve është edhe një polic, i cili ka marrë dëmtime të lehta. I dyshuari është çuar në spital dhe pritet të merret nga policia, pasi u arrestua, sapo mjekët të konfirmojnë se ai është në gjendje për këtë. Policia pret gjithashtu, ta marrë në pyetje për të zbuluar shkakun e kësaj vrasjeje. Qendra e kujdesit “Pinelake Health and Rehab Center” ka 90 shtretër dhe veç tyre 20 të tjerë për të sëmurët me Alzajmer.