E Diel, 1 Nëntor 2026

Kredia me probleme, rritje 100 mln USD në 3 muaj

 

Bankat raportojnë rritje rekord të kredisë në ndjekje, 100 milionë USD vetëm 3 mujorin e parë 2008

Kredia me probleme, në total, shkon në rreth 401 milionë dollarë në fund të tremujorit

Pas një bumi të vërtetë në kreditin e ekonomisë, janë shfaqur edhe problemet e para serioze me kthimin e kredive. Vetëm gjatë 3 muajve të parë të vitit 2008, bankat në vend kanë raportuar një rritje të kredisë me probleme me 100 milionë dollarë. Por në këtë 100 milionë dollarësh të raportuar nga ana e bankave të nivelit të dytë përfshihen jo vetëm kreditë e humbura, por edhe ato të dyshimta dhe nënstandarde. Në dy kategoritë e fundit përfshihen të gjithë ata klientë që kanë marrë një kredi dhe për shkaqe të ndryshme kanë shfaqur vonesa, duke rritur riskun e moskthimit. Në total, kredia në ndjekje, raportuar nga ana e Bankës së Shqipërisë, zë 10.12% të portofolit total të bankave. Më problematike nga ana e specialistëve vlerësohet rritja e shpejtë gjatë 3 muajve të parë të këtij viti e kredisë me probleme. Sipas të dhënave të bankave ajo shkon në 35%, duke treguar se këto institucione duhet të jenë më të vëmendshme në përzgjedhjen e klientëve.

Kredia e keqe

Edhe pse shifrat e asaj që quhet kredi e keqe, mbeten të ulëta në raport me portofolin e sistemit bankar, alarmi për një risk shtesë të kreditit është në rritje. Me një ritëm përkeqësimi që shkon në 35% për 3 muaj e parë të vitit 2008, sistemi bankar duket e është përballë një sfide të vërtetë në ruajtjen e cilësisë së këtij borxhi, që kryesisht ka një moshë të re. Pjesa më e madhe e kredive të dhëna, fillojnë që nga fundi i vitit 2005 e në vazhdim dhe kapaciteti pagues i klientëve të bankave mbetet ende i pavlerësuar. Nga kredia në ndjekje, ose me probleme, që në total shkon në 401 milionë dollarë, rreth 120 milionë dollarë janë kredi e keqe ose ajo që nuk mund të mblidhet më nga ana e bankave. Por veç kredive, tashmë të klasifikuara si me probleme, Banka e Shqipërisë ngre edhe një problem tjetër, që ka të bëjë më informacionin jo të plotë që jepet në ketë drejtim nga ana e bankave të nivelit të dytë, duke fshehur në një pjesë të konsiderueshme riskun që mund të vijë nga ky aktivitet. Ka qenë vetë kreu i BSH-së, Fullani, që ka bërë të ditur se megjithëse statistikat tregojnë se ende përqindjet e kredive të këqija janë të ulëta, përsëri është e domosdoshme një lloj prudence në këtë drejtim. "Të gjithë e dimë se metodat e klasifikimit dhe riklasifikimit, mund të jenë një instrument në duart e bankave për të fshehur realitetin. Hyrja e grupeve të mëdha bankare, ka rritur presionet tek operatorët e tjerë për më shumë përpjekje në drejtim të zënies së tregut. Shpeshherë kjo bëhet në dëm të cilësisë së portofolit. Po kështu, të mos harrojmë se edhe bilancet e kompanive nuk janë të sinqerta, duke shtuar një problem më shumë në këtë drejtim. Në përfundim, do të thosha se edhe zhvillimet aktuale në tregun e pasurive të paluajtshme kanë një potencial negativ në këtë drejtim. Rritja e madhe e çmimeve, në kushtet kur pasuritë e paluajtshme përbëjnë rreth 80 për qind të kolateralit, mbart një potencial negativ në rast të materializimit të rënies së menjëhershme të çmimeve në tregun e aseteve fikse",- ka sqaruar Fullani në një nga raportimet e tij të bëra në publik.

Box

Tregues të kredisë

Hua gjithsej mars 2008, 309 552 000 000 lekë

Hua në ndjekje mars 2008, 31 341 000 000 lekë

Hua në ndjekje, % mars 2008, 10.12%

Hua në ndjekje dhjetor-‘07, 23 215 000 000 lekë

Hua në ndjekje, % dhjetor 2007, 8.07%

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›