Presidenca e ardhshme e BE-së, Polonia, mbështet fuqishëm aspiratën evropiane të Shqipërisë

Kryeministri Berisha takon ministrin e jashtëm të Polonisë, Radoslaw Sikorski Kryeministri Berisha priti dje në një takim Ministrin e jashtëm polak, Radoslaw Sikorski. Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha e falënderoi ministrin e Jashtëm të Polonisë, Sikorskin për mbështetjen e vazhdueshme që Polonia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe si për anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave, apo dhe mbështetjen e vazhdueshme për ecjen me shpejtësi drejt integrimit evropian. Ndërsa ministri i Jashtëm Polak, Sikorski falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe e ri-siguroi atë se Polonia, e cila së shpejti do të marrë presidencën e radhës së BE-së mbetet një mbështetëse e fuqishme e anëtarësimit të shpejtë të Shqipërisë në BE. Sikorski theksoi gjithashtu se Polonia do të vijojë të ndihmojë dhe të përkrahë qeverinë shqiptare në të gjitha përpjekjet për integrim sa më të shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në vijim të këtij takimi kryeministri Berisha dhe ministri i Jashtëm polak u ndalën edhe në zhvillimin e zgjedhjeve vendore te 8 majit. Ata vlerësuan reformat e rëndësishme dhe të suksesshme zgjedhore, si dhe infrastrukturën nga më modernet në Evropë, siç është regjistri qendror elektronik apo dokumentet biometrike të identifikimit. Gjithashtu u vlerësua edhe sistemi unik i numërimit, i cili ka bërë të mundur që çdo votë e qytetarëve shqiptarë të numërohet dhe të regjistrohet me sigurinë dhe saktësinë më të lartë duke garantuar një proces të saktë transparent e rigoroz të numërimit, i cili e rendit sistemin shqiptar të numërimit, në një ndër sistemet me garancinë më të lartë. Po ashtu ministri polak, Sikorski vlerësoi arritjet e jashtëzakonshme dhe hapat e mëdha që Shqipëria ka hedhur gjatë viteve te fundit, duke theksuar se, nga vizita e tij e fundit, para disa viteve, ndryshimet janë qartësisht të dukshme e jashtëzakonisht mbresëlënëse. Duke u ndalur në zhvillimet që ka pësuar Shqipëria, kryeministri Berisha e njohu ministrin e jashtëm polak Sikorsi me reformat dhe arritjet e rëndësishme të qeverisë shqiptare gjatë viteve te fundit, në fushën e luftës kundër krimit, korrupsionit, zhvillimit ekonomik me ritme të shpejta, krijimin e klimës së favorshme për biznesin dhe thithjen e investimeve te huaja, shtrirjen dhe zgjerimin e infrastrukturës në të katër anët e vendit, modernizmin dhe sjelljen e Shqipërisë në epokën dixhitale, reformat në arsim, shëndetin publik, turizëm, etj. Në këtë kuadër, gjatë këtij takimi u vlerësua që rezultatet e këtyre reformave, në veçanti arritjet në luftën kundër korrupsionit kanë sjelle një shndërrim total të imazhit të Shqipërisë në vendet e BE-së dhe me gjerë, çka është demonstruar dhe me rritjen e numrit të turistëve, të cilët në vitin 2010 shënuan një shifër prej 3,5 milion. Kryeministri Berisha dhe ministri i Jashtëm polak, Sikorski ripohuan dëshirën dhe vendosmërinë për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve në shumë aspekte, si atë tregtar, të turizmit, të investimeve të ndërsjella, etj. Ndër të tjera, u rikonfirmua gjithashtu dëshira e të dy vendeve respektive për të intensifikuar kontaktet në nivelet më të larta, si shprehje e ndjenjave më të ngrohta të miqësisë mes dy popujve dhe vendeve dhe angazhimit të dy qeverive për të ndërtuar një bashkëpunim të ngushtë në interesin më të mirë të dy popujve miq.
...