E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodra blu, triumfon me 9 mijë vota më shumë Lorenc Luka

13-05-2011 / Gazeta 55

Partia Demokratike dhe aleatët e saj triumfojnë në Shkodër. Fitorja e Lorenc Lukës mëngjesin e sotëm me mbi 9,500 vota diferencë i ka vënë vulën një qarku të mbështjellë nga ngjyra blu. Në numërim janë ende disa komuna, të cilat nuk pritet të ndikojnë aspak në festën e demokratëve në kryeqendrën e veriut.
Ndërsa ora shënonte 00:30 u regjistrua dhe vota e fundit, e cila shpalli demokratin Luka fitues me 20.790 vota kundrejt 11.232 votave të socialistit Genc Uruçit. Kjo ka shënuar dhe diferencën më të thellë deri tani, regjistruar mes kandidatëve kryesorë në bashkitë e vendit. Pas përfundimit të votimit, kandidati i PS-së, Uruçi është larguar nga ambientet e pallatit të sportit, pa i dhënë orën fituesit.
“Lorenc Luka u shpall fitues me votat e vjedhura”, akuzoi ai, duke krahasuar fitoren blu në Shkodër me ato të bashkive të vogla në vend.
Shumica e votave ka sjellë mazhorancë të të djathtëve dhe në Këshillin Bashkiak.
Ndërkaq Shkodra ka sjellë lajme të mira edhe për partitë e vogla, të cilat duket se kanë marrë një numër të konsiderueshëm votash. LSI-ja ka mundur që të dyfishojë votat e saj krahasuar me zgjedhjet e kaluara, por edhe parti të tjera si Partia Republikane apo më gjerë duket se do të kenë përfaqësuesit e tyre në Këshillin Bashkiak.
Numërimi për qarkun e Shkodrës ka përfunduar në dy rrethe, në atë të Pukës dhe në atë të Malësisë së Madhe, ku kandidatët e Aleancës për Qytetarin kanë fituar bindshëm. Në KZAZ nr. 43 të rrethit Pukë të gjithë njësitë vendore me përjashtim të njërës, komunës Fierzë, janë fituar nga përfaqësuesit e koalicionit për Qytetarin. E njëjta situatë është reflektuar edhe në KZAZ nr. 44 të rrethit Malësi e Madhe ku e majta ka fituar vetëm një komunë, komunën Gruemirë, ndërsa të tjerat janë fituar nga koalicioni i djathtë. Ndërkaq nëse i rikthehemi numërimit gjatë ditës së djeshme, dy KZAZ-të e tjera në Shkodër përveç asaj 40, nuk kanë rezervuar ndonjë surprizë.
Kanë qenë kandidatët e Aleancës për Qytetarin që i kanë fituar në masë komunat, përfshirë edhe atë të Dajçit, e cila jo vetëm që ishte një nga komunat më të prekura nga situata e përmbytjeve gjatë vitit të kaluar, por edhe e vetmja zonë që mendohej të kishte rrjedhje të votave nga të djathtët për shkak të një kandidati të pavarur.
Në këtë komunë gjatë fushatës elektorale pati dy incidente që siç duket nuk kanë influencuar. Fillimisht pati përplasje fizike mes përkrahësve të kandidatit të PD-së për këtë komunë, Arben Gjuraj dhe të kandidatit të pavarur, Gentian Palaj gjatë një mitingu elektoral të kandidatit të djathtë që njëkohësisht ishte edhe kryetar i komunës. Brenda të njëjtës ditë është rrahur shefi i shtabit elektoral i kandidatit të pavarur Palaj. Këto janë disa nga zonat ku tashmë numërimi është përfunduar apo fitorja ka marrë trajtë ndërkohë që ka ende komuna për të cilat numërimi nuk ka filluar. Me interes priten rezultatet në dy komuna të tjera, asaj të Velipojës dhe të Anës së Malit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›