E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Zgjedhjet e 8 majit arritën një transparencë të shkëlqyer”

13-05-2011 / Gazeta 55

Berisha takon grupin e vëzhguesve të Uashingtonit

Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim grupin e vëzhguesve zgjedhorë të dërguar nga qeveria e SHBA-ve për vëzhgimin e zgjedhjeve lokale të 8 majit 2011.
Ambasadori Amerikan Aleksandër Arvizu, i cili shoqëronte vëzhguesit, në fjalën e tij vuri në dukje se ky mision vëzhgimi, me rreth 60 vëzhguesit e tij, ishte një kontribut i drejtpërdrejtë i qeverisë amerikane për transparencën e procesit zgjedhor. Ambasadori Arvizu theksoi se ky mision i veçantë dhe kaq i gjerë vëzhgimi është një dëshmi e qartë e miqësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Shqipërisë por edhe e angazhimit ndaj vlerave që dy vendet ndajnë së bashku. Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen dhe falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qeverinë e saj si dhe vëzhguesit për gatishmërinë dhe kontributin e madh për të siguruar transparencë maksimale në procesin e votimit dhe numërimit të votave, pavarësisht se zgjedhjet e 8 majit ishin zgjedhje vendore.
Kryeministri vuri në dukje se procesi zgjedhor që po zhvillohet mbështetet mbi një bazë ligjore solide, konsensuale dhe të certifikuar ndërkombëtarisht dhe se përdorimi i teknologjisë në procesin e numërimit garanton transparencë dhe saktësi maksimale në këtë proces. Ai theksoi se çdo votë e hedhur në kutitë e votimit për kandidatët e subjekteve të ndryshme, do të numërohet me saktësi të plotë.
Kryeministri Berisha vlerësoi dhe ndau të njëjtin qëndrim me atë të kreut të misionit të OSBE/ODIHR zotit Stonestreet, i cili  gjatë prezantimit të deklaratës paraprake theksoi se pavarësisht zgjatjes së procesit të numërimit ajo që ka rëndësi dhe mbizotëron është saktësia dhe transparenca e këtij procesi.
Kryeministri u shpreh se nga këto zgjedhje fituan shqiptarët. Duke theksuar se mazhoranca mbetet e vendosur për të pranuar çdo rezultat që del nga vota e qytetarëve, ai shprehu kënaqësinë se vota e përgjithshme popullore ri-konfirmoi besimin dhe mbështetjen e mazhorancës së zgjedhësve ndaj qeverisë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›