E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca e re e BE-së, e suksesshme në realizimin e objektivave që lidhen me integrimin e Shqipërisë

Kryeministri Berisha takon ambasadorin belg në Tiranë me rezidencë në Sofje, Mark Mishelsen

Ambasadori i Mbretërisë së Belgjikës në Tiranë, me rezidencë në Sofje, Bullgari, Mark Mishelsen gjatë një takimi të zhvilluar dje me kryeministrin Sali Berisha ka dhënë garanci të plotë se vendi i tij do të mbështesë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ambasadori belg, i cili zhvilloi një vizitë në vendin tonë, për të parashtruar objektivat e presidencës së Bashkimit Evropian, ka konfirmuar se heqja e vizave dhe statusi kandidat janë dy procese të rëndësishme që do marrin përgjigjen zyrtare të Brukselit, gjatë presidencës belge.
Nga ana e tij, kreu i qeverisë Berisha i shprehu falënderimet e tij, për ndihmën dhe mbështetjen që Belgjika i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve, në veçanti për integrimin në Bashkimin Evropian.
Ambasadori i paraqiti kryeministrit një ekspoze mbi prioritetet e Presidencës belge të BE, në të cilat veçoi bashkëpunimin në fusha të rëndësishme dhe prioritare, ndër të cilat më e rëndësishme ishte vazhdimi i zgjerimit të BE, në veçanti me vendet e Evropës Juglindore.
Në këtë pikë Ambasadori Mishelsen vlerësoi arritjet e Shqipërisë në këtë periudhë, i konfirmoi kryeministrit angazhimin e qeverise belge për të mbështetur Shqipërinë në përpjekjen e saj për integrimin e shpejtë në Bashkimin Evropian. Gjithashtu, ambasadori e siguroi kryeministrin Berisha edhe për angazhimin e Presidencës së Bashkimit Evropian për vijimin me ritme të shpejta të zgjerimit të BE në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore sipas specifikave të çdo vendi.
Kryeministri i rikonfirmoi ambasadorit vendosmërinë dhe angazhimin e qeverisë shqiptare për të realizuar çdo reformë lidhur me këtë projekt dhe me proceset e tij, siç është ai i liberalizimit të vizave, në mënyrë që Shqipëria të përparojë dhe të ecë sa më shpejt në realizimin e ëndrrës së shqiptarëve për integrimin në familjen evropiane.
Ambasadori i Mbretërisë së Belgjikës, shoqërohej në këtë takim nga kreu i Delegacionit të Komisionit Evropian në vendin tonë, Helmut Lohan.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›