Çdo reformë për integrimin e Shqipërisë
Zëvendëskryeministri Meta takon ambasadorin belg, Mishelsen
Kryediplomati shqiptar Ilir Meta është zotuar dje për realizimin e çdo reforme që do i hapte rrugë procesit të integrimit në BE. Gjatë një takimi të zhvilluar me ambasadorin e Mbretërisë së Belgjikës në Tiranë, rezident në Sofje, z. Marc Michielsen, Meta i konsideroi të rëndësishme prioritetet e presidencës belge, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2010. Ambasadori Michielsen e informoi zëvendëskryeministrin Meta, se Presidenca belge, e cila funksionon mbi bazat e vendosura tashmë nga Traktati i Lisbonës, mbështet zgjerimin e BE-së në përputhje me progresin respektiv të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe mbetet e angazhuar në nxitjen e perspektivës së tyre evropiane.
Meta, nënvizoi angazhimin e plotë të Qeverisë shqiptare në përmbushjen e prioriteteve integruese të vendit, duke theksuar liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë dhe arritjen e statusit të Kandidatit për në BE. Në këtë kuadër, z. Meta nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me Presidencën belge dhe shprehu vullnetin e plotë për përmbushjen e standardeve të duhura në procesin e reformave integruese.
Më tej, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, z. Ilir Meta vlerësoi nivelin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Belgjikës dhe nënvizoi domosdoshmërinë e forcimit të tyre, duke vënë në dukje edhe prezencën e konsiderueshme të komunitetit shqiptar në Belgjikë. Bashkëbiseduesit këmbyen mendime edhe mbi situatën në rajonin e Ballkanit duke vlerësuar si të rëndësishme lënien pas së të shkuarës së tij konfliktuale, si dhe nevojën e ndërtimin të një të ardhme ku prevalon paqja, stabiliteti, siguria dhe bashkëpunimi. Në këtë takim ishte i pranishëm dhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasadori Helmut Lohan.