E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria vend për t’u marrë shembull, e destinuar të anëtarësohet në bllokun e BE-së”

Kryeministri francez, Fransua Fijon

Në një kohë kur vendi ynë po përgëzohet nga autoritetet e Bashkimit Evropian, për rezultatet spektakolare të shënuara në përmbushjen e reformave dhe kritereve të bllokut, intensifikohet zëri i lidërve të Brukselit, për t’i dhënë një prioritet të konsiderueshëm aspiratave të integrimit të Shqipërisë. Pas mesazhit të qartë se shqiptarët do të udhëtojnë shumë shpejt pa viza drejt Bashkimit Europian, kryeministri francez, Fransua Fijon, në një intervistë për të përditshmen Kroate, “Jutarnji List” deklaron se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit janë të destinuara të anëtarësohen në bllokun 27-anëtarësh.
“Mesazhi im është i qartë, rajoni do të anëtarësohet, kjo perspektivë europiane u përforcua edhe më tepër në Samitin e Sarajevës të zhvilluar më 2 qershor. Rasti i Kroacisë e cila ka hyrë në fazën finale të procesit të anëtarësimit, duhet të jetë një shembull për të gjitha vendet e Ballkanit”, u shpreh Fijon.
Franca kërkon anëtarësimin e rajonit, ndaj Fijon thotë se vendet duhet të thellojnë edhe më tej reformat dhe të vazhdojnë bashkëpunimin në nivel rajonal.
Sa i takon Turqisë, Fijon konfirmoi qëndrimin negativ të vendit të tij. Ai shprehet se Ankaraja zyrtare do të ketë mundësinë të bashkëpunojë ngushtë me BE-në, por nuk do të jetë një vend anëtar. Mbështetja e Francës për proceset integruese të vendit tonë u pa qartë në samitin e Dubrovnikut, ku Fijon tha se anëtarësimi në Bashkimin Europian i vendeve të rajonit është shumë i rëndësishëm sikundër edhe procesi i lëvizjes së lirë të tyre. Në këtë kuadër, ai vlerësoi bashkëpunimin mes vendeve të rajonit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por kërkoi vazhdimin e këtij bashkëpunimi dhe forcimin e kontrollit të kufijve.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›