E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagon Presidenti Topi: “Historia nuk bëhet me emocione politike”

Kreu i shtetit merr pjesë në ceremoninë e diplomimit të studentëve. “Enciklopedia maqedonase erdhi nga qarqe të caktuara politike”

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, reagon për herë të parë për debatin mbi Historinë, duke theksuar domosdoshmërinë që ajo të bazohet në fakte, dhe jo në emocione politike. Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoninë e diplomimit të studentëve të Shkollës së Politikës, të financuar nga Komisioni Europian, kreu i shtetit ka reaguar për politizimin e Historisë. Kjo ka ardhur në kushtet e një situate ku gjithçka është e politizuar në Shqipëri. Megjithëse deklarata e tij është bërë kryesisht për Enciklopedinë e botuar në Maqedoni, kreu i shtetit ka nënkuptuar gjatë fjalës së tij edhe Historinë e shkruar për shkollat shqiptare, e cila u konsiderua nga opozita me elemente tërësisht politike. Pas këtij takimi kreu i shtetit i është përgjigjur edhe interesimit të medias për qëndrimin që po mban opozita shqiptare, e cila ka bojkotuar Kuvendin e Shqipërisë.
Deklarata
Kreu i shtetit, gjatë fjalës së tij, theksoi se akademikët nuk duhet të ndikohen nga politika për të pasqyruar historinë. “Mjerë ai akademik, pastaj, që është i infiltruar nga ideologji politike, apo partiake aq më keq! Akademiku nuk është i tillë në rast se brenda tij bashkëjeton objektiviteti dhe subjektiviteti partiak, aq më shumë ai partiak. Kjo është arsyeja që njerëzit që merren me shkencë, njerëzit që merren me histori, njerëzit që merren me akademinë, t’i përkushtohen asaj pune në mënyrë objektive”, - është shprehur kreu i shtetit. Ndërsa përsa i përket Enciklopedisë, ai tha se ajo nuk ka ardhur si pasojë e lajthitjes së ndonjë akademiku, por ka ardhur nga qarqe të caktuara politike. “Unë mendoj që politikani dhe politika në përgjithësi duhet të shkojnë në sintoni të plotë me interesat kombëtare, me interesat e institucioneve dhe kam rastin edhe një herë këtu t’i rikthehem asaj ngjarjeje që tronditi të gjithë situatën e shoqërisë në Shqipëri, në Maqedoni dhe në Kosovë, çështja e interpretimit të historisë. Pa dyshim që ka elemente, të cilat nuk vijnë nga lajthitje të akademikëve, absolutisht. Këto vijnë si pasojë e një bashkëpunimi patologjik të segmenteve të caktuara të politikës me qarqe akademike, dhe këtu, politika, por në radhë të parë institucionet, ata që merren me trajtimin e historisë, duhet të jenë shumë të vëmendshëm për të vepruar, për të reaguar ndaj qarqeve të ndryshme”, - është shprehur presidenti Topi. Ai ka shfrytëzuar rastin të përshëndesë vendimin e Maqedonisë për ta tërhequr nga tregtimi, ndërsa ka bërë thirrje për kujdes, pasi të tilla ngjarje ndikojnë në stabilitetin e rajonit. “Asnjë shans nuk do të ketë që t’i rikthejë në të kaluarën e dhimbshme historike popujt e Ballkanit. Unë, natyrisht, kam rastin ta përshëndes reagimin për ta tërhequr, por mendoj që para se të bëjnë veprime për ta tërhequr, politikanët, apo qarqet akademike duhet të dinë mirë, të mendojnë mirë, të parashikojnë mirë që historia nuk bëhet me emocione politike. Historia bëhet me një mendim të qartë objektiv dhe shkencor. Politika duhet të dijë t’i kushtëzojë institucionet akademike”, - është shprehur Topi.
Qëndrimi
Kreu i Republikës është shprehur kundër bojkotit të Kuvendit nga ana e opozitës. Në përfundim të ceremonisë së diplomimit të brezit të tretë të studentëve të Shkollës shqiptare të Politikës u pyet nga gazetarët për ndonjë koment lidhur me vendimin e opozitës për të bojkotuar Kuvendin. Në përgjigje të këtij interesimi, kreu i shtetit u shpreh kundër këtij bojkoti. “Unë kam pasur një parim, kur isha në politikë nuk e komentoja vendimmarrjen e opozitës, apo të maxhorancës kur ne ishim në opozitë, aq më shumë sot që jam president. Mesazhin tim e keni pikërisht në momentin e përurimit të Parlamentit të ri. Aty është një koncentrat i gjithçkaje që unë kam menduar dhe vazhdoj të mendoj. Përgjigjen e keni në mesazhin që kam dhënë. Unë, asnjëherë nuk kam qenë për bojkot, asnjëherë në jetën time”, - është shprehur presidenti Topi.

3 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›