Viktima të një tradhtie të pakonfirmuar
Liljana Lorja, 45 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, u nda nga jeta më 7 korrik të këtij viti, pasi konsumoi një sasi të madhe fostoksine. Prokuroria e Durrësit nisi hetimet për veprën penale të shkaktimit të vetëvrasjes, por deri dje nuk nxori ndonjë konkluzion për shkaqet e ngjarjes. Si përherë, shkak u konsiderua depresioni, por asnjëherë nuk u sqarua se cilat ishin rrethanat që e çuan gruan deri në atë pikë sa të vriste veten. Vetëm dje, pasi një tjetër jetë njeriu u mor dhunshëm, gjërat u bënë të qarta edhe për Policinë dhe Prokurorinë e Durrësit. Në fakt, motivet e vetëvrasjes së infermieres 45-vjeçare ishin të qarta për familjarët dhe për stafin e spitalit të Durrësit, ku prej kohësh qarkullonin fjalët për një lidhje jashtëmartesore mes saj dhe radiologut Fatmir Thaçi. Askush nuk ka për ta mësuar nëse fjalët që qarkullonin ishin të vërteta, pasi protagonistët e kësaj historie nuk jetojnë më. Ajo që të gjithë e kanë të qartë, është se ishte pikërisht kjo histori, e trilluar apo reale, që u mori jetën dy njerëzve dhe la katër fëmijë jetimë. Ali Lorja, në rolin e bashkëshortit të tradhtuar, u tregoi dje policëve që e arrestuan se lidhja mes bashkëshortes dhe mjekut Thaçi ishte shkaku i vrasjes. Në spital thonë se gjithçka mund të ketë qenë sajesë e motrës së vrasësit, por nuk ka menduar kështu Aliu, i cili i dha fund historisë me tre plumba.