Presidenca zgjedh muzikantët me tender

Presidenca e Kosovës ka kontraktuar një grup muzikor për atë që e ka quajtur “shërbime artistike”. Një njoftim për dhënie të kontratës precizohet se grupi i artistëve muzikorë “Celebre” ka fituar tenderin me vlerë prej 6 mijë e 500 eurosh.
Pianistja Lule Elezi është personi zyrtarë i cili në emër të grupit ka lidhur kontratë me Zyrën e Presidencës së Kosovës. Përderisa njoftimi për dhënie të kontratës është publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurorimit Publik, njoftimi për konkursin nuk është publikuar fare.
Kësisoj, nuk dihen specifikat e këtij tenderi, por në njoftimin për dhënies të kontratës thuhet se oferta më e vogël ka qenë e grupit “Celebre”, ndërsa më e larta ka qenë 6 mijë e 900 euro, shkruan “Koha Ditore”.
Por në Departamentit të informacionit dhe komunikimit me publikun thuhet se Zyra e Presidentes angazhon grupe artistësh për ceremoni të ndryshme zyrtare, në kuadër të aktiviteteve të saj.
“Angazhimi bëhet me kontratë me kohëzgjatje njëvjeçare dhe me angazhim kur është e nevojshme, që do të thotë se edhe pagesat bëhen varësisht nga angazhimet”, ka thënë Safet Zejnullahu, drejtor i këtij departamenti.
Presidenca nuk ka dhënë sqarime se përse është dashur të kontaktohej një grup muzikor.
“Fjala është për ceremoni me karakter shtetëror, ku pikat e programet e caktuara muzikore janë pjesë e protokollit të ceremonive të caktuara zyrtare”, ka thënë Zejnullahu.
Por ish presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i ka thënë gazetës se Presidenca nuk ka pasur asnjëherë ndonjë grup të kontraktuar për këto shërbime.
“Artistët janë angazhuar në rastet kur kanë qenë ngjarjet e caktuara, por jo të kontraktuara me tenderë”, ka thënë Sejdiu.
E pianistja Lule Elezi ka mohuar shumën prej 6 mijë e 500 eurove si kosto që grupi “Celebre” do ta marrë gjatë një viti, ani pse kjo shumë është determinuar si e ndarë për grupin.
“Jo 6 mijë e 500. Ata mund ta shkruajnë edhe 15 mijë euro, por unë e di që koncertin e kam 650 euro. Dhëntë zoti edhe 20 mijë i fitojmë”, ka thënë Elezi./Indeksonline/