Studimi, në 2014 trafiku në Tiranë do dyfishohet
Dy herë më shumë trafik se aktualisht. Në vitin 2014 situata pritet të jetë kaotike në Tiranë. Të paktën këtë përfundim ka nxjerrë studimi i fundit i kryer nga shoqata mjedisore ECAT në bashkëpunim me agjencinë rajonale të mjedisit të Venetos. I përqendruar në 35 pika monitorimi, në sajë të tij është matur edhe niveli i dioksidit të azotit (NO2) në ajër dhe përcaktimin e efekteve të trafikut në cilësinë e ajrit. “Megjithëse përqendrimi mesatar i NO2 në shkallë qyteti rezultoi më i ulët se vlera limit 40 ìg/m3, e përcaktuar nga direktiva e 1999/30/KE, studimi tregoi se nivelet më të larta të tij mbi vlerën limit të BE u vëzhguan në pikat me trafik të dendur”, sqaruan përfaqësues të shoqatës mjedisore. Sipas saj, trafiku pritet të rëndohet nga viti në vit duke u trefishuar në vitin 2021. ECAT Tirana ka përgatitur “Strategjinë e Integruar të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Trafikut për Qytetin e Tiranës”, me qëllim përmirësimin e trafikut në të. Ndër masat e propozuara si më të rëndësishme, ECAT Tirana veçon ndërtimin e një infrastrukture të përshtatshme, sidomos për këmbësoret dhe biçikletat. Një tjetër rekomandim është t’i jepet prioritet transportit publik, vendosjen e standardeve të rrepta për shkarkimet e gazrave për automjetet e reja dhe të përdorura, rishikimin e kuadrit ligjor.