Shifrat reale, te ne vdesin 2 herë më shumë foshnje se BE
ZIRINA LLAMBRO
Zbardhen shifrat reale për vdekshmërinë e të porsalindurve në vendin tonë. Ndryshe nga sa raporton zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë, Shoqata e Mjekëve Gjinekologë ngre alarmin. Sipas tyre, për çdo 1000 lindje humbin jetën 20 foshnja e jo 14 sa janë statistikat aktuale. Në këtë situatë Shqipëria vijon të renditet ndër të parat vende në Evropë për vdekshmërinë foshnjore. Gjithçka u bë me dije dje, gjatë kongresit të parë të Shoqatës së Obstetri-Gjinekologjisë. “Vendi ynë ka një mortalitet perinatal 2% kurse Evropa është në shifrat 1.1%”, u shpreh kreu i shoqatës Nikita Manoku. Ai nënvizoi se duhet të rritet më tej niveli profesional i mjekëve dhe të përmirësohet i gjithë sistemi, që të arrihet në të tilla nivele. E pranishme në kongres ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, kërkoi unifikim të qëndrimeve diagnostike dhe terapeutike në fushën e obstetri-gjinekologjisë në rang vendi, për t’u bërë të detyrueshme për t’u zbatuar. “Në kushtet e realizimit të reformës spitalore bëhet e detyrueshme që çdo strukturë shëndetësore, që mbulon aktivitete obstetrikale dhe gjinekologjike në të gjithë vendin të unifikojë qëndrimet e saj, me ato të referuara nga qendra”, theksoi Godo. Ajo e cilësoi këtë kongres një ngjarje të madhe shkencore, një sfidë të rëndësishme për atë çka shkenca e obstetri-gjinekologjisë ka në imazhin e saj për të ardhmen. “Është e tepërt të themi që çdo gjë, që ndodh në shëndetësi është e lidhur në mënyrë të detyruar me shëndetin e mirë të nënës dhe fëmijës, që do të lindë”, u shpreh ministrja, duke shtuar se impakti pozitiv apo negativ në shëndetin e çdo qytetari është tek ajo çka ndodh në këtë fushë. Qëllimi i kongresit ishte diskutimi i problemeve të obstetri-gjinekologjisë ndërmjet mjekëve shqiptarë dhe të huaj, si dhe shkëmbimi i eksperiencave. “Kongresi tregon interesin për evolucionin dhe për arritjen e mjekësisë kontemporane nga ana e mjekësisë shqiptare në këtë fushë”, theksoi Manoku, kreu i shoqatës së obstetri-gjinekologjisë.