Mjedisi, mbillen 145 pemë në kryeqytet
Mbillen 145 gështenja në dy rrugë kryesore të Tiranës nga katër kompani private, të cilat i janë bashkuar nismës “Një qytetar një pemë”, të Bashkisë së Tiranës. Në sajë të financimit të tyre, në rrugën “Hamdi Cenoimeri” u mbollën 45 gështenja. Në rrugët “Pjetër Bogdani” (segmenti “Sami Frashëri” – rruga “Gjin Bue Shpata”) dhe “Sami Frashëri” (segmenti sheshi Wilson – “Dora d’Istria”) u mbollën 100 gështenja. Shtimi i përmasës së gjelbër në kryeqytet është një faktor i rëndësishëm në pastrimin e ajrit, uljen e ndotjes dhe për krijimin e një mjedisi sa më të shëndetshëm, në funksion të rritjes së cilësisë së jetës në komunitet. “Një qytetar-një pemë” synon gjithashtu të ndikojë pozitivisht në rritjen e vlerave të komunitetit e rivitalizimin e tyre, duke nxitur njëkohësisht ndjeshmërinë dhe pjesëmarrjen qytetare në këto nisma. Ky projekt në finalizimin e tij pritet t’i shtojë kryeqytetit më shumë se 3000 pemë.