E Shtunë, 31 Tetor 2026

President pa miq! Nikoliç bën betimin

Hapat e parë të presidentit të ri Tomisllav Nikoliç kanë shkaktuar debate të shumta si brenda ashtu edhe jashtë Serbisë. Mohimi i gjenocidit në Srebrenicë ka shkaktuar kritika të shumta. Bashkimi Evropian e kritikon Nikoliçin për një "hap në drejtimin e gabuar". Kështu u shpreh të dielën, Nicolai Wannen, ministër për Evropën i presidencës daneze në BE. Jo vetëm deklaratat për Srebrenicën, edhe deklarata e tij se Vukovari është qytet serb kanë tendosur raportet paksa të normalizuara kohët e fundit me vendet fqinje, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kroacinë. Këto deklarata kanë shkaktuar reagime negative edhe në shumë qarqe evropiane dhe botërore. Kjo ka bërë që edhe presidenti i Kroacisë Ivo Josipoviç, krerët e Bosnjë-Hercegovinës dhe disa shteteve të tjera të refuzojnë pjesëmarrjen në ceremoninë e marrjes së detyrës të Tomisllav Nikoliçit.

Politikan apo president?

Disa komentatorë në Beograd thonë se një ndër gabimet serioze të Nikoliçit është edhe vizita e tij në Moskë, vetëm disa ditë pas fitores në zgjedhjet presidenciale. Kjo vizitë ishte jo zyrtare, por ishte vizita e parë në postin e presidentit, shpjegojnë ata.

Cvijetin Milivojeviç, drejtor i agjencisë Pragma, thotë se ende është herët të jepen vlerësime për presidentin e ri. Por "ka pasur disa hapa që nuk janë në harmoni me konceptin e diplomacisë së mirëfilltë". Nikoliçi ende nuk ka formuar deri në fund as kabinetin e tij. "Deklaratat e fundit të Nikoliçit i shoh më shumë se deklarata të një politikani, se sa presidentit të një vendi", thotë Milivojeviç.

Mbështetja e dialogut me Kosovën

Puna e deritanishme e Nikoliçit ishte negative, të paktën kur shikon deklaratat e para që kanë shkaktuar debate dhe pakënaqësi të shumta, thonë Boshko Jakshiç, komentator i gazetës "Politika". Nëse shikojmë politikën e brendshme, pozitive është paralajmërimi i tij se nga kryeministri dhe qeveria e re do të kërkojë vazhdimin e dialogut me Prishtinën. Nikoliçi ka premtuar se edhe vetë do të angazhohet në këtë drejtim. "Mendoj se deklarat e tij për domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut dhe paralajmërimi për angazhimin e tij personal e ngrenë këtë dialog në një nivel shumë më të lartë se deri tani, me shpresë se do të gjendet ndonjë zgjidhje", pohon Jakshiç.

Nikoliçi ende një nxënës në politikë?

Gabimet më të mëdha Nikoliçi i ka bërë deri tani në planin diplomatik. Kjo nënkupton se ai duhet të konsultohet shumë më shumë me këshilltarët e tij, para se të dalë me ndonjë mendim për çështjet diplomatike, shton Jakshiç. Edhe Cvijetin Milivojeviç mendon se Nikoliqi ende nuk ka mësuar në tërësi se çfarë do të thotë diplomacia. Ndonëse reagimet më të ashpra deri tani kanë ardhur nga vendet e rajonit, ai mendon se politika e Nikoliçit ndaj këtyre vendeve nuk do të ndryshojë shumë nga ajo e Boris Tadiçit. "Politika e Tomisllav Nikoliçit (gjë që ka premtuar edhe gjatë fushatës) është njohja e integritetit territorial të vendeve të rajonit. E reja është që Nikoliçi ka insistuar që Kroacia të zgjidhë problemin e të zhvendosurve dhe kjo ka nervozuar Zagrebin", mendon Milivojeviç. Sipas tij, Nikoliçi do të insistojë që të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që i ofron Kushtetuta e Serbisë dhe që posti i tij të mos trajtohet si "mbretëresha britanike". Nëse partia e tij nuk futet në koalicionin e ardhshëm, mes presidentit dhe qeverisë do të ketë fërkime serioze.

                                                                                             2012-06-12 10:29
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›