E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi mesazh për 13 vjetorin e çlirimit të Kosovës

“13 vjet më parë forcat ushtarake të NATO-s realizuan çlirimin e Kosovës, duke i dhënë fund periudhës së gjatë të represionit dhe genocidit serb kundër shqiptarëve. Me Marrëveshjen e Kumanovës dhe vendosmërinë e shteteve perëndimore, aleate aktive në operacionet e NATO-s, shqiptarët e Kosovës fituan të drejtën për të jetuar në liri, në barazi, në një shoqëri të re demokratike dhe evropiane”, shkruan Topi. 

Ai shkruan se regjimi i Millosheviçit dhe mbështetësve të tij realizuan në Kosovë akte dhune e krime të pashembullta kundër qytetarëve të pafajshëm, fëmijëve dhe grave, duke provokuar një nga krizat më të mëdha humanitare dhe shfarosëse në historinë e Evropës moderne. “12 qershori i vitit 1999 shënoi fundin e këtij regjimi dhe nisjen e një epoke të re për Kosovën dhe gjithë rajonin. Në këtë ditë në emër të shtetit shqiptar u shpreh mirënjohjen e thellë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian që u angazhuan në operacionet paqësore në Kosovë. Populli shqiptar do t’u jetë përjetë mirënjohës për kontributin e tyre për paqen dhe lirinë e Kosovës”, vijon mesazhi.

“Sot Kosova shënon një shembull krenarie suksesi dhe shqiptarët kudo në rajon janë e mbeten një faktor solid për paqen, stabilitetin dhe demokracinë. Gjatë këtyre viteve, me përpjekje të mëdha dhe përkushtim qytetar, banorët e Kosovës ia dolën të krijojnë shtetin demokratik më të ri në Evropë, ku jetojnë në liri dhe harmoni komunitete të ndryshme etnike e fetare, ku respektohen e garantohen të drejtat e njeriut dhe ku vepron rendi kushtetues evropian”, theksohet në mesazhin e Kreut të Shtetit shqiptar. /Start/

                                                                                             2012-06-12 13:08
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›