Presidentët e Maqedonisë-Malit të Zi s’deklarohen për njohjen e Kosovës
• Presidentët e Maqedonisë dhe Malit të Zi kanë refuzuar të deklarojnë se kur vendet e tyre do të njohin pavarësinë e Kosovës.“Republika e Maqedonisë do të vendosë mbi deklaratën e saj kur ta shohim më të përshtatshme për interesat tona kombëtare”, tha presidenti Branko Cërvenkovski gjatë vizitës së tij në Bruksel. “Ne nuk gjejmë asnjë arsye për të përshpejtuar këtë vendim”, shtoi presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç. Cërvenkovski ka sqaruar që Maqedonia do të pasojë qëndrimin e NATO-s dhe BE-së mbi Kosovën, por ka theksuar se kombet e të dyja organizatave duhet ende të bien dakord për një qëndrim të përbashkët. Maqedonia dhe Mali i zi kanë në kufi Serbinë, dhe të dy vendet kanë minoritet shqiptar në popullsinë e tyre. Ata i tremben idesë se pavarësia e Kosovës mund të provokojë separatizmin e shqiptarëve në rajonet kufitare. Olli Rehn, komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerim, i ka apeluar Serbisë që të mos i kthejë kurrizin perëndimit me gjithë zemërimin për Kosovën dhe ndihmën që u vjen nga Rusia. “Serbia ka një perspektivë shumë reale evropiane”, tha Rehn pas takimit me Cërvenkovskin dhe Vujanoviçin. “Besoj se liderët serbë do t’i kushtojnë rëndësi faktit që 70 për qind e qytetarëve serbë janë në favor të anëtarësimit të Bashkimit Evropian”, theksoi ai.