E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, Ina Rama: Të kufizohet imuniteti i deputetëve e zyrtarëve

• SHBA – Prokurorja e Përgjithshme e Shqipërisë, Ina Rama, është shprehur dje se, kufizimi i imunitetit të zyrtarëve të lartë, parlamentarëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve është një nga masatefektive që mund të ndikonin në forcimin e luftës kundër korrupsionit. Kryeprokurorja ishte e ftuar dje në mbrëmje në studion e seksionit të “Zërit të Amerikës” në gjuhën shqip, ku tha se, është e ngutshme që në Shqipëri të ketë një trajtim ndryshe të imunitetit të zyrtarëve të lartë me qëllim që t’i hapet rruga ndëshkimit të korrupsionit. “Ka përpjekje serioze për të luftuar korrupsionin, është krijuar një njësi hetimore në Prokurorinë e Tiranës e cila po punon, ka edhe zyrtarë të lartë në hetim të cilët për shkak të sekretit nuk mund t’i deklaroj”, është shprehur Ina Rama. Ajo shtoi se, krimi i organizuar është një problem ndërshtetëror që nuk i përket vetëm Shqipërisë. Megjithatë, sipas Ina Ramës, Prokuroria dhe Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë kanë arritur rezultate në luftën kundër krimit të organizuar. Kryeprokurorja pranoi se krimi i organizuar tenton të kapë ekonominë, ai ka tendencë për t’u lidhur dhe për ta shfrytëzuar politikën, në ndonjë rast politika është vënë në shërbim të tij. Megjithatë, shefja e akuzës shqiptare tha se, Prokuroria do t’i hetojë politikanët e lidhur me krimin e organizuar pa vështirësi nëse gjenden fakte dhe prova të qëndrueshme. Ina Rama theksoi se, Prokuroria duhet të vazhdojë të jetë institucion i pavarur dhe se problemet e shfaqura në punën e akuzës deri më tani nuk kanë ardhur për shkak se ky institucion nuk ka qenë në varësi të qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›