E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ahmet Prençi: Shqipëria bllokoi trafikun e drogës drejt Italisë

• TIRANE – Policia shqiptare pretendon se ka arritur të bllokojë qarkullimin e trafikut të drogës përmes vendit tonë në drejtim të Italisë.Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ahmet Prençi, tha dje se, prej vitit 2005 deri në fund të vitit 2007, policia shqiptare dhe ajo italiane, kanë realizuar 21 operacione të përbashkëta në luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafiqeve. “Gjatë këtyre operacioneve të kryera janë arrestuar më tepër se 84 persona të përfshirë në organizata kriminale. Grupime të tilla sipas hetimeve të kryera kanë rezultuar me lidhje edhe me mafien kalabreze në Itali”. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë doli në një komunikim me mediat theksoi se, më 21 shkurt 2008, në Romë janë shfaqur të dhënat e rezultateve të operacioneve mes njësisë së operacioneve speciale italiane ROS dhe policisë shqiptare. Rezultatet e analizuara, i përkisnin operacioneve dypalëshe të zhvilluara gjatë dy viteve të fundit, pjesë e bashkëpunimit mes policive të dy vendeve. Sipas kreut të policisë, rezultatet e këtyre operacioneve janë publikuar gjatë projektit COSPOL, me iniciativën e Eurpol në Romë për bashkëpunimin policor në Evropë. Në këto operacione dypalëshe nga pala italiane janë arrestuar 26 persona, sekuestruar 1.1 tonë marijuanë, 9.6 kg heroinë, 1 kg kokainë dhe 2.22 tonë përzierës, dy skafe të sekuestruar dhe 4 automatikë “Kallashnikov” të bllokuar. Sipas Prençit, policia shqiptare ka arrestuar 57 persona, ndërsa janë sekuestruar 2.384 kg marijuanë, heroinë 54.5 kg, kokainë 759 gramë. Po kështu janë bllokuar 1.922 kg përzierës, kapur dy skafe dhe sekuestruar dy pistoleta. Prençi pohoi se, ka edhe një numër të konsiderueshëm operacionesh dhe persona në kërkim pjesë e grupeve të operacioneve “Karaburun”, “Harem”, “Vjosa”, “Eagle”, të cilat janë ende në ndjekje nga policitë e dy vendeve. d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›